Ministri i Mbrojtjes, Piro Vengu, ka shpallur këtë të enjte njoftimin evakuim të menjëhershëm për banorët e Njësisë Administrative Novoselë, Bashkia Vlorë, pas rrezikut të lartë nga përmbytjet.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, veprimet po kryhen në përputhje me Ligjin nr. 45/2019 “Për Mbrojtjen Civile”, Planin Kombëtar dhe Planet Vendore të Emergjencave Civile.

Evakuimi po realizohet në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), prefektin e qarkut dhe strukturat e emergjencave civile të bashkisë. Prioritet kanë fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara.

Transporti i banorëve do të sigurohet nga mjetet e Bashkisë, Shërbimi i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe Forcat e Armatosura, ndërsa strehimi dhe asistenca bazë për qytetarët e evakuuar do të menaxhohet nga Bashkia, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, strukturat shëndetësore dhe sociale.

Banorët e zonave të prekura janë të lutur të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të kontaktojnë numrin e emergjencave për çdo ndihmë të menjëhershme.