Kuvendi i Shqipërisë mban këtë enjte në orën 10:00 një seancë plenare për ratifikimin e marrëveshjes së aderimit të vendit në Bordin e Paqes për Gazën. Seanca është thirrur me kërkesë të një të pestës së deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.
Një ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi marrëveshjen, e cila në këtë fazë nuk parashikon detyrime financiare për Shqipërinë. Sipas Kartës së Bordit, kontributet do të jenë vullnetare dhe do të përcaktohen në një fazë të mëvonshme.
Partia Demokratike ka bërë të ditur se do ta mbështesë ratifikimin. Në një mesazh drejtuar deputetëve, theksohet se, pavarësisht pretendimeve për shkelje të procedurave kushtetuese dhe të Rregullores së Kuvendit nga mazhoranca, vota pro do të jetë një shprehje mbështetjeje për angazhimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara për paqen dhe sigurinë globale.
Shqipëria do të përfaqësohet në Bordin e Paqes nga kryeministri Edi Rama, siç parashikohet në projektligj. Mandati i anëtarësimit do të jetë trevjeçar, me mundësi rinovimi. Status të përhershëm do të kenë vetëm shtetet që kontribuojnë mbi 1 miliard dollarë gjatë vitit të parë të anëtarësimit.




















