Presidentja e përkohshme Delcy Rodríguez ka marrë përsipër rolin e Maduros, me mbështetjen e të gjitha institucioneve gjyqësore dhe politike.
Rodríguez dhe vëllai i saj, Jorge, tashmë kreu i Kongresit, kanë qenë figura në rritje që prej marrjes së detyrës nga Maduro në vitin 2013.
Ndërkohë, është edhe Diosdado Cabello, ish-kapiten ushtrie dhe i afërt me të ndjerin Hugo Chávez, i cili ka mbetur një ndërmjetës kyç mes pushtetit ushtarak dhe atij biznesor.
Sipas ‘BBC’ të gjithë duken të bashkuar në denoncimin e “rrëmbimit” nga Maduro dhe të vendosur për të ruajtur strukturat e pushtetit të viteve të fundit.
Pas degës ekzekutive, një ndikim të madh, pothuajse vendimtar, ka ushtria, e udhëhequr nga Vladimir Padrino, komandanti i përgjithshëm i Forcave të Armatosura.
Gjatë dekadës së fundit, ushtria ka fituar vazhdimisht pushtet në të gjitha fushat e jetës në Venezuelë dhe, për momentin, nuk ka shenja se kjo prirje do të ndryshojë.
Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të mbajnë përgjegjësi për situatën në Venezuelë dhe, ndonëse ka shumë gjasa që ai po negocion koncesione për nxjerrjen e naftës me Rodríguez, në terren është ushtria ajo që vazhdon të ushtrojë pushtetin real.
Ndërkohë, gjithnjë e më shumë, grupet e armatosura ilegale, si guerilasit kolumbianë, veçanërisht ELN kanë konsoliduar pushtetin dhe kontrollin mbi shoqërinë dhe rrugët e trafikut të drogës. Përplasjet mes këtyre grupeve për kontroll territorial ka të ngjarë të rifillojnë.
Në realitet, pyetja se kush e ushtron pushtetin në Venezuelë nuk ka pasur kurrë një përgjigje të vetme dhe të qartë.




















