Me mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, që do të shqyrtojë kalendarin dhe programin e punës për 5 javët në vijim, deputetët do të rinisin punën të hënën.
Zyrtarisht sesioni e ri parlamentar, i dyti i kësaj legjislature të XI, do t’i çelë punimet më seancën parlamentare të parashikuar pasdite në orën 17, edhe pse pak pas mesditës do të ketë një mbledhje të komisionit parlamentar të ashtuquajtur të reformave, që drejtohet nga Fatmir Xhafa.
Dhe pikërisht reformat duket se do të jenë edhe puna më e madhe e këtij sesioni, ashtu siç edhe arsyet e përplasjeve. Sa i takon përplasjeve Kryeministri Rama ua bëri të qartë demokratëve se socialistët nuk do ta tolerojnë më atë që e quajti ‘pengmarrje’ të Kuvendit përmes procedurës dhe rrugaçërisë.
Rama paralajmëroi ndryshim të rregullores, ndërsa edhe një herë kundërshtarëve politikë u tha se socialistët janë gati për dialog por nëse ky mungon reformat do t’i bëjnë edhe vetëm. Për këtë të tijve ua bëri të qartë se orët e punës do të jenë të gjata, teksa kërkoi edhe shtimin e numrit të seancave parlamentare.
Opozita nga ana tjetër nuk është gati të qetësojë tonet, të paktën jo pa një zgjidhje politike për çështjen Balluku, për arrestimin ose jo të së cilës, Këshilli i Imunitetit do të mblidhet më 28 janar.
Në këtë sfond, reforma të rëndësishme presin. Dy prej më urgjenteve sipas socialistëve janë zgjedhorja dhe territorialja, që duhet të mbyllen brenda korrikut se vendoret e 2027 do të duhet të bëhen me Kod dhe hartë të re. Megjithatë demokratët i bojkotuan që në dhjetor dhe nuk janë gati të rikthehen.
Socialistët në dhjetor u shfaqën të qartë, kur paralajmëruan se do ta presin reflektimin e palës tjetër deri në nisje të këtij sesioni, përndryshe zhbëjnë formulën e konsensusit dhe marrin shumicën e vendeve në tryezë.
Ngelet për tu parë nëse PS do të kalojë në zbatim konkret të këtij plani, kur Bashkimi Evropian ka kërkuar gjithëpërfshirje dhe jo reforma të njëanshme, teksa në pritje të nisjes së punës është edhe një ambicie tjetër e madhe e shprehur nga kreu i mazhorancës, një reformë e plotë kushtetuese brenda mandatit.




















