Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Teknik Ndërsektorial (GTN), është vendosur që tre fëmijët dhe nëna e tyre, Blerina Basha, të asistohen menjëherë me ndihmë mjekësore dhe sociale.

Aktualitet Kryesore Të Fundit
Përfundon mbledhja e Grupit Teknik Ndërsektorial, nëna 33-vjeçare dhe tre fëmijët e saj asistohen me ndihmë mjekësore dhe sociale
12/01/2026 16:43

Pas përfundimit të mbledhjes së Grupit Teknik Ndërsektorial (GTN), është vendosur që tre fëmijët dhe nëna e tyre, Blerina Basha, të asistohen menjëherë me ndihmë mjekësore dhe sociale.

Ndihma do të nisë fillimisht me sigurimin e të gjitha medikamenteve të nevojshme për trajtimin e sëmundjes infektive të zgjebes. Ata do të vazhdojnë të qëndrojnë në spital derisa të kurohen nga sëmundja ngjitëse, zgjebja, ndërsa më pas do të vijojë një proces i vazhdueshëm mbikëqyrjeje sociale në banesë. Ndërkaq do të bëhet dhe pastrimi e dizinfektimi i apartamentit të tyre.

Drejtoresha e Shërbimit Social pranë Bashkisë së Durrësit, Diola Xhango, bëri me dije për Top Channel se në mbledhjen e GTN-së, ku morën pjesë përfaqësues të Shërbimit Social, Policisë, Shëndetësisë dhe organizatave jofitimprurëse, u dakordësua një plan i koordinuar ndërhyrjeje në funksion të forcimit dhe riintegrimit të familjes.
Sipas vendimit, tre fëmijëve u janë dërguar në spital veshmbathje dhe pritet t’u dërgohen të gjitha medikamentet e nevojshme për trajtimin e sëmundjes pasi në pediatri nuk ka. Do të kurohen të tre fëmijët dhe nëna. Financimi i këtyre ndërhyrjeve është marrë përsipër nga organizatat Nisma ARSIS dhe Ëorld Vision.

Ndërkohë, do të nisë procesi i pasaportizimit dhe zhvendosjes së regjistrimit të familjes, e cila aktualisht figuron e regjistruar në Vau i Dejës. Vetë Blerina është nga Berati. Regjistrimi i ri si banorë të Durrësit do t’i hapë rrugë përfshirjes së familjes në skemat e strehimit social të bashkisë.

Për nënën e fëmijëve, përmes Zyrës së Punës, do të shihet mundësia e gjetjes së një pune të rregullt dhe dinjitoze, me orar 8-orësh, në mënyrë që ajo të ketë mundësi të kujdeset dhe të mirërrisë fëmijët e saj. Aktualisht ajo punon deri në 16 orë. Gjithashtu, asaj do t’i ofrohet mbështetje psiko-sociale.

Shërbimi Social do të kryejë kontrolle dhe mbikëqyrje të përditshme të befasishme për mbarëvajtjen e situatës familjare. Nëna do të jetë në një periudhë prove, për të vlerësuar aftësinë e saj për të ushtruar kujdestarinë ndaj fëmijëve, me qëllim përfundimtar mbajtjen e familjes së bashku dhe garantimin e interesit më të lartë të fëmijëve.