Athina duket se do ti thotë “jo” propozimit të Trump për pjesëmarrje në Këshillin e Paqes.

Athina e ka trajtuar që në fillim me rezervë ftesën e Donald Trump për pjesëmarrje në Këshillin e Paqes për Gazën bëjnë me dije mediat greke që ju referohen burimeve qeveritare. Sipas tyre qeveria greke do të veprojë në koordinim me qeveritë e tjera europiane, të cilat shfaqen negative ndaj iniciativës së presidentit amerikan dhe, siç duket, nuk do ta pranojë ftesën.

Burime diplomatike thonë se Athina ndodhet përballë një prej dilemave më të ndërlikuara të politikës së jashtme të viteve të fundit, në një moment kur marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian po hyjnë në një fazë të re, më të paqëndrueshme dhe të paparashikueshme. Sipas analizave të mediave greke, presioni vjen nga dy fronte: pretendimi i presidentit amerikan Donald Trump për “kontroll të plotë” të Groenlandës dhe iniciativa e tij për krijimin e të ashtuquajturit “Këshill i Paqes”, me fokus fillestar Gazën, por me ambicie shumë më të gjera.

Sipas së përditshmes Kathimerini qeveria greke përpiqet të ecë në një vijë të hollë ekuilibri. Nga njëra anë, Athina e konsideron marrëdhënien strategjike me SHBA-në si jetike për sigurinë e saj, sidomos në një kontekst të ndjeshëm në Mesdheun Lindor. Nga ana tjetër, Greqia thekson se nuk mund të devijojë nga parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare, respektimit të integritetit territorial dhe rolit qendror të OKB-së. Siç nënvizojnë burime qeveritare greke, vendi vepron gjithmonë brenda kornizës së Kombeve të Bashkuara, ku aktualisht është edhe anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit.

Këto dilema pritet të diskutohen edhe në nivel evropian, me kryeministrin Kyriakos Mitsotakis që do të marrë pjesë në një samit të jashtëzakonshëm të BE-së. Në Athinë mbizotëron shqetësimi se iniciativa e Trump për “Këshillin e Paqes” mund të krijojë një strukturë paralele, duke anashkaluar organet tradicionale të OKB-së dhe veçanërisht Këshillin e Sigurimit.

Për Athinën, vendimi nuk është i lehtë, megjithëse burime qeveritare të cilave e ju referohen të paktën 3 media greke thonë se përgjigja e Athinës pritet të jetë negative. Një “jo” mund të ftohë marrëdhëniet me Shtëpinë e Bardhë, por një “po” do të nënkuptonte, siç nënvizojnë të njëjtat media , legjitimimin e një procesi me pasoja të paqarta për të ardhmen e rendit ndërkombëtar.

Në një mjedis ku krizat po shumëfishohen, Greqia duket se kërkon kohë, koordinim me partnerët evropianë dhe mbi të gjitha gjakftohtësi dhe logjikë , për të mos rrezikuar as aleancat strategjike, as parimet mbi të cilat ka ndërtuar politikën e saj të jashtme, për më tepër në një rajon me shumë problematika dhe konflikte.