Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka paralajmëruar qytetarët amerikanë në lidhje me protestën e planifikuar nga Partia Demokratike, për këtë të shtunë, në orën 17:00 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.
Ambasada këshillon qytetarët amerikanë që të shmangin zonën e protestës, të qëndrojnë vigjilentë dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.
Ambasada nënvizon se edhe pse protestat fillojnë shpesh në mënyrë paqësore, situata mund të ndryshojë shpejt, ndaj prioriteti kryesor mbetet siguria personale.
Në apelin e saj për qytetarët amerikanë, Ambasada u sugjeron atyre të shmangin pjesëmarrjen në ngjarje dhe protesta, të jenë të vetëdijshëm për rrethinën dhe ambientin, të kufizojnë shpërqendrimet, si përdorimi i telefonit apo kufjeve, të ndjekin mediat lokale për informacion të përditësuar, të kenë një plan emergjence ose rrugë daljeje dhe të ruajnë një profil të ulët.
“Një protestë është planifikuar të zhvillohet të shtunën, më 24 janar 2025, në orën 17:00. Protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej. Pritet prani e shtuar e policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut. Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës. Personeli i Ambasadës së SHBA-së është këshilluar të shmangë protestën. Ndiqni mediat lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit.




















