Baresha nga Kukësi ka rrëfyer në emisionin Real People historinë e saj të vështirë të jetës, duke zbardhur detaje të forta nga fëmijëria e varfër, puna e rëndë, martesat e imponuara dhe humbjet personale.
“Jetoj këtu në papafingo, jam me qira, jap 170 mijë lekë në muaj. Kam ardhur prej vajzës prej shkollës sepse nuk kishte kush ta çonte në shkollë”, tregoi ajo, duke shtuar se bashkëshorti i saj ka ndërruar jetë.
Ajo rrëfeu se jeta e vështirë e ka detyruar të nisë punën që në moshë shumë të re. “Kam punuar tokën, sapo kam mbaruar klasën e tetë punoja në kooperativë, shkulja patate. Duhej të punonim, ishim 6 fëmijë”, u shpreh Baresha.
Në rrëfimin e saj, ajo ndalet edhe te martesa e parë, e vendosur nga familja përmes shkuesisë. “Bashkëshortin e parë ma gjeti burri i motrës. Prindërit dhe vëllezërit ishin dakord që unë të martohesha. Unë nuk doja deri në moshën 25-vjeçare, doja të isha gati”, tha ajo.
Sipas saj, refuzimi nuk ishte një opsion. “Nuk mund të thosha jo, kisha frikë nga nëna dhe nga vëllezërit”, rrëfeu ajo me emocion.
Martesa e parë zgjati vetëm tre muaj. “U martova 19-vjeçe, burri iku në Angli dhe nuk u kthye më”, tregoi ajo, duke zbuluar se më vonë kishte mësuar për përfshirjen e tij në bixhoz. “Hyri në bixhoz nga shoqëria. Fitoi njëherë 90 milionë lekë, herën e dytë i humbi të gjitha. Unë nuk e dija fillimisht me çfarë merrej, ma treguan kushërinjtë. U mërzita shumë”, shtoi ajo.
Pas 20 vitesh beqare, ajo vendosi të martohej për herë të dytë në moshën 40-vjeçare. “Kisha kërkesa për t’u martuar, por nuk doja. Më pas u martova sepse doja fëmijë”, tha ajo.
Bashkëshorti i dytë kishte dy fëmijë nga dy martesa të mëparshme dhe ajo ishte gruaja e tretë e tij. “Tani ka humbur jetën”, përfundoi ajo, duke treguar se sot përballet e vetme me vështirësitë e jetës.
















