Kryeministri Edi Rama këtë të mërkurë rikujtoi përmes një fjalimi të fortë ngjarjet e 21 Janarit, duke theksuar sfidat e drejtësisë në vend. Ai kritikoi vonesat e sistemit gjyqësor dhe mungesën e veprimeve konkrete ndaj përgjegjësve kryesorë të tragjedisë, duke nënvizuar se edhe pas 15 vjetësh, shumë viktima të paraburgosurve mbeten të pambrojtur dhe drejtësia shtetërore shpesh duket e vonuar.

“Sot, burgjet e Shqipërisë mbajnë me taksat e qytetarëve më shumë të paraburgosur të plasur nëpër qeli pa gjyq. Edhe një pjesë e të paraburgosurve janë viktima të shkeljeve të të drejtave të njeriut. Është një panoramë e trishtueshme e një drejtësie të dhunuar, dhe 21 Janari tregon drejtësinë e vonuar.

Përgjegjësit kryesorë të tragjedisë mezi u thirrën për t’u pyetur për herë të parë pas thuajse 15 vjetësh, që mbushen sot. E kam ditur dhe e kam thënë, kjo është e dokumentuar në shumë kronika dhe intervista. 21 Janari, si krim shtetëror, hyn tek ajo pjesë e historisë që tregon se drejtësia vonon shumë, por nuk harron kurrë.

Është shumë interesante për krimet shtetërore, sepse nuk rezulton asnjë krim shtetëror i padënueshëm; gjithçka varet vetëm nga sa vonon ndëshkimi për një krim të tillë. Por, me përpjekjen për të gjetur ngushëllim në histori, nuk kam menduar që Reforma në Drejtësi – për të cilën 21 Janari ka qenë një burim energjie për ta çuar përpara dhe strukturat e reja speciale, krejtësisht të pavarura, nuk do të ngrinin asnjë akuzë edhe pas 15 vjetësh nga vrasja mizore në bulevard.

Fatkeqësisht, për 15 vite me radhë edhe vetë SPAK-u bëri sikur kjo çështje nuk ekziston. Pavarësisht se bëhet fjalë për kryeçështjen e drejtësisë, kur ka dashur ka ngritur akuza brenda një viti me letra anonime. Apo ka konsumuar energji me vite duke mbajtur peng punën me interes shtetëror, me çështje të sforcuara aq shumë sa mund të shkruhen romane satirike dhe jo vendime të formës së prerë.”-tha Rama.