Reshjet intensive të shiut, bora e dendur dhe fenomenet ekstreme të motit po krijojnë një situatë alarmante në rajonin e Ballkanit dhe në disa vende të Europës Jugore, duke shkaktuar përmbytje, rrëshqitje dheu, ndërprerje të qarkullimit rrugor dhe rrezik për banesa e jetë njerëzish. Autoritetet në disa shtete kanë shpallur alarm të kuq ose portokalli, ndërsa qytetarët janë këshilluar të tregojnë kujdes maksimal.

Në Kosovë, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) njofton se gjatë periudhës 5–6 janar janë regjistruar reshje mesatare prej 43 mm/m² në të gjithë territorin. Si pasojë, shumica e lumenjve, veçanërisht në pjesën perëndimore dhe qendrore të vendit, kanë shënuar rritje të ndjeshme të niveleve ujore. Në disa segmente, lumenjtë kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje lokale. Situata më e vështirë paraqitet në lumenjtë: Drini i Bardhë, Ereniku, Bistrica e Deçanit, Toplluha, Klina, Mirusha, Drenica dhe Istogu.

Edhe Mali i Zi po përballet me pasoja serioze nga reshjet e shumta të shiut. Probleme janë raportuar në disa bashki, përfshirë Nikshiqin, Danillovgradin, Mojkovacin, Bjello Poljen, Ulqinin, Plevljen, Podgoricën, Kolashinin dhe Beranen. Sipas Ministrisë së Brendshme, uji po rrezikon banesa, ndërsa disa akse rrugore janë mbyllur për shkak të përmbytjeve dhe kushteve të rrezikshme për qarkullimin.

Situata mbetet kritike edhe në Serbi, ku shiu i dendur dhe reshjet e dëborës kanë shkaktuar probleme të shumta. Gjendje emergjente është shpallur në Oseçinë, Loznicë, Vladimircë, Mali Zvornik, Krupanj dhe në një pjesë të Prijepoljes. Alarmet e kuqe dhe portokalli janë aktive në pjesën më të madhe të vendit. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të mos refuzojnë evakuimin në rast nevoje, ndërsa reshjet e dëborës pritet ta përkeqësojnë situatën.

Në Itali, moti i keq ka shkaktuar problematika në Romë dhe rajonin e Lazios. Reshjet e pandërprera kanë shkaktuar daljen nga shtrati të kanalit Pratolungo, ndërsa lumi Aniene dhe degët e tij kanë sjellë përmbytje në disa zona. Mbrojtja Civile ka ndërhyrë në mbi 150 raste dhe ka lëshuar fillimisht alarm portokalli, për ta përshkallëzuar më pas në alarm të kuq për zonat e prekura nga baseni i lumit Aniene.

Edhe Greqia po përballet me probleme serioze, veçanërisht në zonën malore të Tzoumerkës, e cila ishte prekur rëndë edhe nga moti ekstrem në nëntorin e kaluar. Reshjet e dendura kanë shkaktuar rënie gurësh, dëmtime të rrugëve dhe probleme me furnizimin me energji elektrike në disa fshatra. Zonat më të prekura janë Ambelochori, Michalitsi, Kallarytes, Matsouki dhe Pramanta, ku po punohet për pastrimin e rrugëve dhe rikthimin e qarkullimit të sigurt.

Në Kroaci, dëbora dhe erërat e forta kanë krijuar vështirësi të mëdha në qarkullim, veçanërisht në Gorski Kotar, Lika dhe Kroacinë qendrore. Për shkak të kushteve të rrezikshme, qarkullimi për mjetet e rënda drejt Rijekës, Istrias dhe Dalmacisë është ndaluar, ndërsa rrugët janë të mbuluara me dëborë, duke rritur rrezikun për krijimin e masave të akullit.

Ndërkohë, Sllovenia po përballet me reshje dëbore dhe erëra shumë të forta në rajonin e Primorskës, ku është lëshuar alarm portokalli për shkak të dëborës. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të udhëtojnë vetëm në raste të domosdoshme, ndërsa temperaturat pritet të zbresin deri në -20 gradë Celsius në ditët në vijim.

Situata e krijuar në të gjithë rajonin dëshmon se kushtet atmosferike janë në një fazë të rrezikshme dhe kërkojnë vigjilencë maksimale nga autoritetet dhe qytetarët.