Aktori i njohur turk Doğukan Güngör, i cili interpretonte rolin e Fatihit në serialin shumë të ndjekur “Kızılcık Şerbeti”, është larguar nga kasti pas një hetimi që lidhet me përdorimin e lëndëve narkotike.

Sipas mediave turke, aktori ka rezultuar pozitiv në një test droge të kryer në kuadër të një hetimi ndaj disa personazheve të njohur të botës së artit.

Pas këtij zhvillimi, producentët e serialit kanë vendosur përjashtimin e tij nga projekti, ndërsa për personazhin e Fatihit është arritur marrëveshja me aktorin Emre Dinler.

Sipas gazetares së njohur turke Birsen Altuntaş, ekipi i “Kızılcık Şerbeti” ka organizuar edhe një ceremoni lamtumire për Doğukan Güngör në setin e xhirimeve.

Me këtë rast, u pre edhe një tortë simbolike, ndërsa aktori u pa dukshëm i prekur emocionalisht, duke shpërthyer në lot dhe duke mos arritur t’i përmbajë emocionet gjatë momentit të ndarjes nga kolegët dhe ekipi i serialit.