Projekti i madh i rindërtimit të Rripit të Gazës do të bazohet kryesisht në planin egjiptian arabo-islamik dhe nuk parashikon transferimin e rreth dy milionë banorëve të enklavës në territore të tjera.

Komiteti teknokratik palestinez, i formuar së fundmi për administrimin e përkohshëm të Gazës, ka nisur punën në Kajro. Në takimin e parë mori pjesë edhe Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Në takim ishte i pranishëm gjithashtu diplomati bullgar Nickolay Mladenov, i cili pritet të ketë një rol kyç në fazën e dytë të planit amerikan për Gazën.

Anëtarët e komitetit pritet të takohen sërish të shtunën.

“Shpresojmë të shkojmë në Gaza javën e ardhshme ose atë pasuese. Puna jonë është atje dhe aty duhet të jemi”, tha burimi për AFP-në.

Sipas burimeve diplomatike, selia e komitetit do të jetë në Kajro, nga ku anëtarët do të mund të udhëtojnë rregullisht drejt Gazës. Prioriteti kryesor do të jetë rivendosja e shërbimeve publike. “Ne nuk do të përfshihemi në politikë,” theksoi anëtari i komitetit.

Komiteti u formua zyrtarisht të mërkurën, me njoftimin e fillimit të fazës së dytë të planit amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza. Ai përbëhet nga 15 teknokratë palestinezë dhe do të administrojë përkohësisht enklavën nën mbikëqyrjen e një Këshilli Paqeje, i cili do të kryesohet nga presidenti Donald Trump.

Kryetari i komitetit, Ali Saath, inxhinier dhe ish-zëvendësministër i Autoritetit Palestinez tha për televizionin egjiptian Al-Qahera News se rindërtimi i Gazës do të mbështetet kryesisht në planin egjiptian arabo-islamik. Ky plan u miratua në mars 2025, me mbështetjen e vendeve evropiane, si alternativë ndaj një propozimi të mëparshëm amerikan për vendosjen e Gazës nën kontrollin e SHBA-së dhe zhvendosjen e popullsisë së saj.

Plani egjiptian parashikon rindërtimin e enklavës pa dëbimin e banorëve. “Çështja e strehimit është thelbësore, pasi 85% e shtëpive janë shkatërruar,” tha Saath, duke theksuar nevojën për rikthimin e dinjitetit të palestinezëve që aktualisht jetojnë në tenda.

Për këtë qëllim, rreth 200 mijë njësi banimi të parafabrikuara do të importohen në Gaza dhe do të shpërndahen në kampe të organizuara, për të përmbushur nevojat bazë në arsim, shëndetësi dhe siguri, deklaroi një tjetër anëtar i komitetit, Omar Shamali.