Reshjet e shiut të shoqëruara me erëra të fuqishme, kanë përfshirë të gjithë territorin e qarkut Gjirokastër. Në bashkinë Tepelenë, në orët e para të mëngjesit të datës 6 janar 2026, janë evidentuar problematika në aksin rrugor Tepelenë–Gjirokastër, në vendin e quajtur “Shkalla e Zezë”, si pasojë e rënies së inerteve nga shpatet malore. Aktualisht, rruga është e qarkullueshme vetëm me një kalim.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë së Shtetit, si dhe firma kontraktore përgjegjëse për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor, të cilat po punojnë për normalizimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit.
Ndërkohë, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, Qarku i Kukësit vijon të jetë i përfshirë nga kushte të vështira atmosferike. Deri në orët e para të mëngjesit, në disa segmente të akseve rrugore nacionale janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh, duke krijuar problematika të përkohshme në qarkullim.
Nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk janë raportuar situata emergjente apo dëme të shkaktuara nga moti i keq.
Nga ana e saj, Bashkia e Lezhës ka njoftuar qytetarët se si pasojë e reshjeve të shumta dhe shkarkimeve nga hidrocentrali i Vaut të Dejës, situata pritet të rendohet.
“U kërkojmë të gjithë banorëve që, në rast emergjence apo nëse konstatojnë prezencë uji në banesat e tyre, të kontaktojnë menjëherë në numrin e telefonit: +355 68 367 8727”, njoftoi bashkia.
Po ashtu, në një njoftim të saj, Policia e Shtetit thotë se është përmbytur një pjesë e aksit të rrugës interurbane Tiranë-Durrës, konkretisht në zonën pranë karburantit në hyrje të Durrësit.
Policia thotë se për të shmangur trafikun dhe aksidentet, Policia Rrugore njofton se do të devijohet lëvizja si më poshtë:
-Automjetet që vijnë nga jugu në drejtim të Tiranës, të qarkullojnë nga Rruga e Plepave për në Ndroq dhe nga rruga “Rrogozhinë–Elbasan–Tiranë”.
-Për në Durrës, kalimi do të bëhet nga rruga e universitetit, në drejtim të Spitallës dhe në rrugën “Tiranë–Elbasan–Rrogozhinë”.
“Policia apelon për drejtuesit e mjeteve që të shmangin lëvizjet e panevojshme, të tregojnë kujdes maksimal gjatë lëvizjes, të ndjekin udhëzimet e punonjësve të Policisë dhe të zbatojnë sinjalistikën rrugore. Shërbimet e Policisë Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme po marrin masa për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve dhe për të ndihmuar drejtuesit e mjeteve”, tha policia.




















