Viti 2025 u mbyll me një bilanc pozitiv sa i përket eksportit të mallrave, si në vlerën financiare, por edhe në fluksin e shkëmbimit të tyre.
Sipas raportit më të fundit të INSTAT, në muajin Dhjetor të vitit të shkuar eksportet e mallrave arritën vlerën e 27 miliardë lekëve, duke u rritur me 5.6% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ndërsa gjatë 12 muajve të vitit 2025, eksportet e mallrave arritën vlerën 346 miliardë lekëve, nënvizon Instituti i Statistikave. Kontributi i grupeve kryesore në rritjen e eksporteve gjatë Dhjetorit 2025, prej 5.6%, ishte: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me +3%, “Materiale ndërtimi dhe metale” me +2.4%, dhe me +1,2% grupi “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi”.
Gjatë fundvitit, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me Dhjetorin e 2024, janë Kosova me 24.4% dhe Greqia me 21.3%. Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur rritjen më të madhe gjatë gjithë vitit 2025 janë Spanja me 19.9%, Greqia 7.9% dhe Gjermania 1.9%.
Shkëmbimet tregtare për vitin 2025, sipas INSTAT, me vendet e BE-së zënë 57.0% të të gjithë tregtisë, ku partnerët kryesorë tregtarë rezultojnë Italia me 26.8%, Kina 10.5%, Greqia 7.6% dhe Turqia 7.3%.




















