Një qytetar ka denoncuar për median tonë gjendjen e rënduar të rrugëve rurale pas reshjeve të fundit, duke theksuar mungesën e ndërhyrjes dhe rrezikun që paraqesin për jetën e banorëve. Sipas denoncimit, në disa fshatra rrugët janë tërësisht të ngrira dhe të pakalueshme, pa u hapur dhe pa u trajtuar me masa minimale parandaluese, si hedhja e kripës për shmangien e akullit.

Situata është përkeqësuar pas reshjeve, duke u kthyer nga një problem infrastrukturor në një rrezik real për qytetarët. Në zonën e Shëngjergjit janë regjistruar aksidente të shumta, ku mjete kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanale anësore. Rasti më shqetësues është ai i një autobusi me rreth 35 pasagjerë, i cili ka pësuar aksident si pasojë e kushteve të rrezikshme të rrugës.

Denoncimi i qytetarit ngre pikëpyetje mbi mënyrën se si menaxhohen situatat emergjente në zonat periferike: a ishte monitoruar gjendja e rrugëve para dhe pas reshjeve? A ishin parashikuar ndërhyrje për zhbllokimin dhe sigurinë e tyre? Kush mban përgjegjësi kur mungesa e veprimit kthehet në rrezik për jetën e qytetarëve?

Mirëmbajtja e rrugëve i është besuar një subjekti me tender, por sipas denoncimit nuk konstatohet asnjë reagim konkret në terren. Pavarësisht situatës së rënduar dhe aksidenteve të ndodhura, nuk është ndërmarrë asnjë masë për përmirësimin e gjendjes, çka ngre dyshime mbi zbatimin real të kontratave dhe kontrollin institucional ndaj tyre.

Denoncimi i qytetarit vë gjithashtu në pah trajtimin e pabarabartë të zonave rurale, të cilat shpesh perceptohen si periferike dhe jashtë prioriteteve. Banorët e këtyre zonave janë taksapagues të rregullt, por në momente kritike nuk përfitojnë të njëjtin nivel shërbimi dhe reagimi si zonat urbane.

Çështja nuk lidhet vetëm me asfaltin apo kripën e munguar në rrugë, por me përgjegjësinë institucionale dhe barazinë në shërbime publike. Deri sa këto pyetje të marrin përgjigje të qarta, rrugët e ngrira dhe mungesa e ndërhyrjes mbeten një tregues i fortë i neglizhencës që kërkon vëmendje urgjente, në emër të sigurisë dhe dinjitetit të taksapaguesve./Lexo.al 

*Pamjet e mëposhtëme i referohen zonës së Shëngjergjit