Një vendim i DASH për të pezulluar e shqyrtimin e aplikimit të vizave nga 75 vende, përfshirë edhe Shqipërinë, entuziazmoi opozitën në Tiranë, e cila vërshoi me postime dhe akuza se një masë e tillë u mor për shkak të ‘narkoshtetit’ të Edi Ramës dhe se ky vendim e listonte vendin tonë në listën e zezë të SHBA. Por, qeveria socialiste përmes ministres së Jashtme, Elisa Spiropali iu përgjigj këtyre akuzave duke i quajtur shpifje dhe trillime politike. Duke udhëtuar për në Kiev, Spiropali tha se vendimi i DASH nuk ka të bëjë me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ministrja shpjegon se ky vendim nuk e bllokon lëvizjes dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA, pasi nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.

“Kam ndjekur me vëmendje gjatë gjithë mbrëmjes së djeshme rrebeshin e spekulimeve politike mbi çështjen e vizave drejt SHBA. Ndërkohë që Shqipëria sot respektohet e çmohet kudo dhe është më aktive se kurrë, disa të udhëhumbur në Tiranë kanë vënë kujën se SHBA-të, sipas tyre, kanë ngrirë dhe bllokuar vizat për shqiptarët.

Fabula e tyre e çartur shkon aq larg, sa deklarojnë se partnerët tanë historikë dhe strategjikë, e kanë futur Shqipërinë në listën e zezë. E paimagjinueshme!

Në fakt, të dyja këto, janë fund e krye trillime politike. E vërteta është se vendimi i fundit i SHBA-ve nuk ka bllokuar lëvizjen dhe udhëtimin e qytetarëve shqiptarë drejt SHBA-ve. Kurrsesi! Nuk janë bllokuar as vizat për qëllime turistike, studentët, biznesi, vizita te familjarët apo evente të lidhura me punën.

Askush nuk ndalohet të udhëtojë dhe të vizitojë si turist, student, qytetar apo edhe zyrtar, por rregullat e Qëndrimit në SHBA do të ndryshojnë në linjë me politikën e tyre të imigracionit”, shprehet Spiropali.

Spiropali i thotë opozitës se ky vendim nuk ka të bëjë aspak me Shqipërinë, e cila mbetet aleati strategjik i SHBA, por është një vendim që vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.

“Nuk bëhet fjalë për një vendim që targeton Shqipërinë, por për një rishqyrtim lidhur me procesimin e vizave për qëllime imigrimi në SHBA për 75 vende, përfshirë 5 vende të Ballkanit Perëndimor. Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se do të pezullohet përpunimi i vizave të imigracionit deri në rishikim zyrtar, dhe ky vendim vjen si pjesë e masave të administratës amerikane për të kufizuar abuzimet me avantazhet që ofron sistemi amerikan i migracionit.

Pra shkurt dhe thjesht, vendimi nuk ka të bëjë asgjëkundi me fabrikime nga më të çuditshmet për nongrata imagjinare mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Përtej gjithë kësaj tymnaje, një e vërtetë e madhe është e qartë si drita e diellit: Shqipëria ka qenë dhe mbetet aleati dhe partneri strategjik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend mik me të cilin na bashkon një rrugë e gjatë dhe e pandashme vlerash dhe qëllimesh”, tha Spiropali.

Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi se ka vendosur të pezullojë shqyrtimin e vizave për emigrantët nga 75 shtete, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën. Nga vendet e Ballkanit Perëndimor përjashtohet vetëm Serbia. Shtëpia e Bardhë deklaroi se ndalimi i përpunimit të vizave për emigrantët nga administrata Trump do të nisë nga 21 janari dhe do të jetë në fuqi derisa SHBA të sigurohet që emigrantët që vijnë nga këto vende nuk do të bëhen barrë publike ose nuk do të nxjerrin pasuri nga taksapaguesit amerikanë.