Uashingtoni nuk po tërhiqet nga Ballkani Perëndimor dhe sanksionet ndaj liderit serb të Bosnjës, Milorad Dodik, mund të rikthehen nëse retorika e tij secesioniste vazhdon. Ky ishte mesazhi i qartë që doli nga një intervista e gazetares Ilva Tare per #BalkansDebrief te Keshillit te Atlantikut me kongresmenin republikan amerikan Mike Turner, i cili thotë se Shtetet e Bashkuara po kalojnë nga një “angazhim pasiv” drejt një roli më aktiv në rajon.

Kongresmeni Turner tha se Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe Akti për Demokracinë dhe Prosperitetin në Ballkanin Perëndimor, i miratuar përmes NDAA-së, pasqyrojnë një angazhim më të fortë për stabilitetin në Evropën Juglindore. Ligji i jep administratës një afat 90-ditor për të vepruar kundër individëve që minojnë marrëveshje paqeje si Marrëveshjet e Dayton, një afat që po ndiqet nga afër në të gjithë rajonin.
“Uashingtoni po angazhohet më fort,” tha Turner, duke argumentuar se SHBA tani synon të adresojë tensionet e pazgjidhura përpara se ato të shndërrohen në konflikt, në vend që të menaxhojë krizat pasi ato shpërthejnë.

Shqipëria: Partnere e fortë e SHBA-së në siguri, pavarësisht shqetësimeve për korrupsionin

Ndërsa Shqipëria po avancon me shpejtësi në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe po përgatitet të presë Samitin e NATO-s në vitin 2027, mbeten pyetje se si e sheh Uashingtoni rolin e Tiranës në fushën e sigurisë, në kushtet e shqetësimeve të vazhdueshme për krimin e organizuar dhe korrupsionin.

I pyetur për bashkëpunimin SHBA–Shqipëri, kongresmeni amerikan Mike Turner dha një vlerësim të qartë dhe pozitiv. “Shumë i mirë, një partnere shumë e mirë e NATO-s,” tha ai, duke përshkruar marrëdhënien e sigurisë mes dy vendeve.I vënë përballë pyetjes nëse korrupsioni dhe sfidat e sundimit të ligjit e minojnë arkitekturën e sigurisë së Shqipërisë, Turner pranoi kontekstin më të gjerë rajonal, por ruajti besimin në drejtimin që po ndjek Tirana. “Të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit kanë sigurisht çështje për t’u adresuar,” vuri në dukje ai. “Por mendoj se ato po i adresojnë këto çështje dhe janë partnerë shumë të mirë.”
Lidhur me pyetjen se sa ndikim ka Uashingtoni për të mbrojtur reformën në drejtësi dhe pavarësinë institucionale në Shqipëri, Turner theksoi rolin kolektiv të komunitetit ndërkombëtar. “Komuniteti ndërkombëtar është partner për ndërtimin e institucioneve demokratike,” tha ai, duke shtuar se rruga e Shqipërisë drejt BE-së dhe NATO-s forcon reformat jo vetëm në nivel kombëtar, por në të gjithë rajonin.

Dayton në 30 vjet: Paqe, por edhe bllokim
Ndërsa Bosnja dhe Hercegovina shënon 30 vjet që nga Dayton që i dha fund luftës, Turner pranoi se megjithëse paqja është ruajtur, ajo është shoqëruar me bllokim politik. Ai tha se rajoni tani përballet me një moment tranzicioni, që do të kërkojë angazhim të ripërtërirë ndërkombëtar dhe, potencialisht, një kornizë të re, shpesh e quajtur “Dayton 2”, për të kaluar përtej një sistemi të ndërtuar për të ndalur një luftë, jo për të qeverisur një shtet.
Lidhur me vendimin e diskutueshem për të hequr sanksionet amerikane ndaj Dodikut tetorin e kaluar, Turner tha se kjo lëvizje ishte e lidhur me koncesione specifike në Republikën Srpska, por paralajmëroi se situata mbetet nën shqyrtim. Nëse sjellja destabilizuese vazhdon, tha ai, sanksionet mbeten një mjet që Uashingtoni është i gatshëm ta përdorë sërish.

Pa ambasadorë, por ende aktivë

Pavarësisht mungesës së ambasadorëve amerikanë të konfirmuar nga Senati në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Turner hodhi poshtë pretendimet për çangazhim të SHBA-së. Ai tha se ambasadat amerikane perceptohen në nivel lokal si aktive dhe me ndikim.

Kosovë–Serbi: Roli i SHBA-së mbetet qendror

Turner trajtoi gjithashtu dialogun e bllokuar të normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, duke pranuar zhgënjimin për mungesën e përparimit dhe pritshmëritë e parealizuara nga bisedimet e udhëhequra nga BE-ja. Ai tha se angazhimi i ripërtërirë nga udhëheqësit rajonalë është thelbësor, por theksoi se SHBA mbetet e angazhuar dhe e gatshme të luajë një rol vendimtar nëse procesi ngec.

Sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKS), Turner ishte i prerë: ai mbetet një kusht i rënë dakord, jo një kërkesë e imponuar. “Vetë Kosova është angazhuar për të,” tha ai, duke kundërshtuar pretendimet se kjo çështje nuk është më detyruese.

Një rajon ende një test strategjik

Nga kundërshtimi i ndikimit rus te mbështetja e integrimit në BE dhe NATO, Turner e përshkroi Ballkanin Perëndimor si një prioritet strategjik, jo si një mendim të dorës së dytë gjeopolitik. Mesazhi i tij për të rinjtë e rajonit ishte i drejtpërdrejtë: e ardhmja nuk do të vijë nga jashtë. “Ju jeni ndryshimi,” tha ai.

Për Uashingtonin, mesazhi është po aq i qartë: Ballkani është rikthyer në axhendë dhe po monitorohet nga afer.