Akademikja Lea Ypi e cilësoi katastrofik vendimin e Shqipërisë për hapjen e qendrave për pritjen e emigrantëve në Gjadër, që sipas saj shkon kundër interesave të emigrantëve.
Në një intervistë për Euronews Albania, Ypi u shpreh se ky vendim për të cilin flitet shumë pak në media, ka shumë më tepër impakt se batutat nga takimet me ministrat britanikë lidhur me çështjen e emigrantëve.
‘Shqipëria ka marrë një vendim katastrofik për emigrantët, që është ai i hapjesë së qendrave të deportimit të emigrantëve falë marrëveshjes me Melonin. Dhe mendoj që ky vendim i qeverisë shqiptare dhe ky bashkëpunim pikërisht me atë përfaqësusese të qeverisë italiane i ka hapur rrugën një transformimi evropian të politikave të emigracionit që shkon kundër emigrantëve. Sigurisht, shqiptarët janë më shumë emigrantë dhe shihen si emigrantë, që e përforcon këtë sulmin ndaj pakicave dhe ai është një vendim që ka shumë më tepër impakt. Për fat të keq, për atë vendim flitet shumë pak në mediat shqiptare, ndërkohë që batutat si e kapërceu dhe si i mbrojti, se çfarë u tha dhe çfarë u bë në këto mbledhjet me qeverinë britanike nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm. Ky është i vetmi vendim që është një traktat, një vendim i shtetit shqiptar në bashkëpunim me shtetin italian që i ka hapur rrugën një politike migratore jashtëzakonisht të rrezikshme për Europën, për botën, dhe sigurisht për Shqipërinë’, tha Ypi.




















