Qeveria shqiptare prezantoi sot paketën e re me 12 nisma ligjore në kuadër të fazës së re të negociatave me Bashkimin Evropian, duke e cilësuar vitin 2026 si një moment vendimtar për përmbushjen e kushteve drejt anëtarësimit. Paketa synon forcimin e shtetit të së drejtës, rritjen e transparencës dhe përafrimin e plotë të legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së.

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja për BE-në, Majlinda Dhuka, theksoi se Shqipëria ndodhet në një fazë vendimtare të procesit të integrimit, ku do të vlerësohet aftësia reale për zbatimin e reformave.

“2026 është një gur kilometrik në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Mes çeljes dhe mbylljes së negociatave, vendi duhet të dëshmojë vullnet politik dhe aftësi institucionale për të zbatuar standardet evropiane në jetën e qytetarëve,” u shpreh Dhuka.

Ajo sqaroi se paketa përfshin 12 nisma ligjore, gjashtë të propozuara nga Këshilli i Ministrave dhe gjashtë nga Kuvendi, të fokusuara në tre shtylla kryesore: forcimin e shtetit të së drejtës, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe familjes.

“Kjo paketë garanton progres real në përafrimin me standardet evropiane, nga reforma në drejtësi te mbrojtja e të drejtave themelore dhe funksionimi i shtetit ligjor,” tha Dhuka, duke shtuar se objektivi është përmbushja e kushteve për mbylljen e negociatave në vitin 2027.

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, theksoi se kjo fazë e negociatave kërkon përforcimin e transparencës, medias së lirë dhe drejtësisë sociale.

“Një nga shtyllat e kësaj pakete është mbrojtja e gazetarëve dhe dekriminalizimi i shpifjes, duke garantuar lirinë e shprehjes dhe funksionimin e medias si shtyllë e demokracisë,” deklaroi Gogu.

Ai shtoi se ndryshimet ligjore adresojnë gjithashtu dhunën digjitale, mbrojtjen e familjes dhe të miturve, si dhe forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Këto reforma synojnë të forcojnë shtetin e së drejtës dhe të mbrojnë qytetarët më të cenuar, duke afruar vendin me standardet evropiane,” u shpreh ministri.

Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, prezantoi pesë nisma ligjore që synojnë forcimin e integritetit institucional dhe parandalimin e korrupsionit, duke vënë theksin te transparenca dhe standardet evropiane.

“Fokusi kryesor është forcimi i parandalimit të korrupsionit, përtej ndëshkimit të tij. Këto nisma vendosin themelet e standardeve evropiane në legjislacionin shqiptar,” deklaroi Pirdeni.

Ajo bëri të ditur se një nga ligjet më të rëndësishme është ai për sinjalizuesit, tashmë në fuqi, i cili zgjeron ndjeshëm mbrojtjen për punonjësit e administratës publike dhe sektorit privat që denoncojnë shkelje ligjore.

“Për herë të parë mbrojtja ligjore shtrihet jo vetëm për sinjalizuesit, por edhe për familjarët dhe ortakët e tyre. Ligji garanton mbrojtje nga çdo formë hakmarrjeje dhe është i harmonizuar me legjislacionin e BE-së,” theksoi Pirdeni.

Ministrja nënvizoi gjithashtu rëndësinë e ligjit për lobimin, i cili për herë të parë rregullon këtë veprimtari në Shqipëri.

“Për herë të parë kemi një ligj për lobimin që e bën këtë veprimtari të ligjshme, transparente dhe të kontrollueshme. Do të krijohet një regjistër publik i lobimit, i administruar nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit, për të garantuar integritetin e vendimmarrjes publike,” tha Pirdeni.

Një tjetër shtyllë e paketës është ligji për sponsorizimet dhe donacionet, i cili synon rritjen e transparencës dhe parandalimin e abuzimeve.

“Ky ligj rregullon për herë të parë mënyrën e dhënies së sponsorizimeve dhe donacioneve, duke krijuar një regjistër publik dhe duke garantuar transparencë të plotë për çdo financim ndaj institucioneve publike,” u shpreh ministrja.