Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, priti sot në Tiranë Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, të cilin e konsideron “një mbështetës i procesit të zgjerimit dhe në veçanti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.”

Spiropali sqaroi përmes një mesazhi në rrjetet sociale se me raporterin “bashkëndamë vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave, për reformat e thelluara në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore”.

Spiropali dhe Schieder u ndalën më konkretisht te perspektiva e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme (IBAR), si një moment vendimtar që do t’i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve.

Ky proces sipas Spiropalit, do ta vendosë Shqipërinë në 2026-ën në një fazë të re, edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit.

Postimi i plotë:

🇦🇱🤝🇪🇺Prita në një takim sa miqësor aq edhe përmbajtësor, Raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, një zë i rëndësishëm dhe mbështetës i procesit të zgjerimit dhe në veçanti i anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

👉Diskutuam mbi rolin e veçantë të Parlamentit Europian në monitorimin e negociatave të anëtarësimit, rëndësinë e raportit të ardhshëm për Shqipërinë në konsolidimin e perceptimit pozitiv mbi progresin e arritur dhe në orientimin e hapave të mëtejshëm të procesit.

👉Bashkëndamë vlerësime për ecurinë e deritanishme të negociatave, për reformat e thelluara në veçanti në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe për angazhimin e palëkundur e të vazhduar të politikës sonë të jashtme me atë të BE-së si dhe në përafrimin e vazhdueshëm me vlerat, politikat dhe qëndrimet e Bashkimit Europian.

👉Në këtë kuadër, u ndalëm edhe tek perspektiva e arritjes sa më parë të piketave të ndërmjetme (IBAR), si një moment vendimtar që do t’i hapë rrugën procesit të mbylljes së kapitujve, duke e vendosur Shqipërinë në 2026-ën në një fazë të re, edhe më konkrete dhe më të matshme në rrugën drejt anëtarësimit.