Në universitetet e vendit, ekselentët përbëjnë vetëm 8.6% të studentëve të regjistruar. Sa i përket krahasimit gjinor, rezulton se vajzat kanë mesatare më të lartë se djemtë. Ndërsa studentët që vijnë nga fshati kanë rezultate më të ulëta se ata të qytetit.

Sipas një raporti të Qendrës së Shërbimeve Arsimore, ku janë analizuar të dhënat për vitin akademik 2024-2025, sistemi i arsimit të lartë në vend numëron gjithsej 593 programe studimi. Universiteti i Tiranës ka numrin më të lartë të studentëve të regjistruar për shkak se ofron më shumë programe studimi.

Sa i përket plotësimit të kuotave, në krye qëndrojnë Akademia e Sigurisë dhe Forcave të Armatosura, ndjekur nga Universiteti i Mjekësisë dhe ai i Sporteve.

Programet më të kërkuara në rang vendi, ku nuk mbetet asnjë kuotë e lirë, janë Mjekësia e Përgjithshme në Universitetin e Mjekësisë, Financa, Infermieria e Përgjithshme, Informatika Ekonomike dhe Informatika nga Universiteti i Tiranës.

Lidhur me cilësinë e studentëve, të dhënat tregojnë se ekselentët i merr Mjekësia e Përgjithshme. Më konkretisht, gjatë vitit 2024-2025 në këtë program janë regjistruar 399 studentë me mesatare nga 9.5 deri në 10 absolute. Më pas renditen Inxhinieria Informatike në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe Stomatologjia.

Ndërkohë, pavarësisht nismave mbështetëse, interesi për mësuesinë vijon të bjerë, pasi nga 21 mijë e 547 studentë, vetëm 1 mijë e 408 prej tyre janë regjistruar në programet e mësuesisë.

Akoma më pak interes ka për gjuhët e huaja. Kështu, për vitin 2024-2025, nga rreth 21 mijë studentë në të gjithë vendin, vetëm 484 janë regjistruar në këto programe.

Studentët më cilësorë të mësuesisë janë regjistruar në programin e Informatikës, ndërsa ata me mesataren më të ulët rezultojnë tek Gjeografia.