Irani po përgatitet me stërvitje (për të hapur zjarr) në Ngushticën e Hormuzit, pasi tensionet mes Teheranit dhe Shteteve të Bashkuara janë rritur dukshëm.
Sipas asaj që raportojnë mediat shtetërore iraniane, forcat detare të Gardës Revolucionare Islamike do të kryejnë “stërvitja do të nisë javën e ardhshme”.
Rritja e tensioneve vjen pas paralajmërimeve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka kërcënuar Iranin se një sulm i ardhshëm mund të jetë “shumë më i ashpër” se tre sulmet e verës së kaluar.
“Shpresoj që Irani të vijë shpejt në tryezë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë, pa armë bërthamore! Një marrëveshje e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, është çështje thelbësore!”, ka shkruar Trump në Truth Social.
Ai shton:
“Siç i kam thënë Iranit më parë, bëni një marrëveshje! Ata nuk e bënë, dhe ndodhi operacioni “Midnight Hammer”, një shkatërrim i madh ndaj Iranit. Sulmi tjetër do të jetë shumë më i ashpër! Mos e bëni këtë përsëri!”
Përgjigja e Teheranit nuk vonoi.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara paralajmëroi për një reagim “si kurrë më parë” pas kërcënimit të Trump. Në një postim në “X”, shkruhej se “herën e fundit që SHBA-të hynë gabimisht në luftëra në Afganistan dhe Irak, shpenzuan mbi 7 trilionë dollarë”.
Misioni iranian theksoi gjithashtu:
“Irani është i gatshëm për dialog bazuar në respekt dhe interesa të ndërsjella, POR NËSE SFIDOHEMI, DO TË MBROJMË VETEN DHE DO TË REAGOJMË SI KURRË MË PARË!”
Tensionet e fundit vijnë gjithashtu pas një valë protestash në Iran që filloi në fund të dhjetorit për shkak të rënies së monedhës vendase.
Sipas një grupi aktivistësh, gjatë shtypjes së protestave janë vrarë mbi 6 mijë persona, ndërkohë që mediat e huaja raportojnë për një bilanc akoma më të rëndë. Qeveria iraniane ka reaguar me një shtypje brutale dhe një bllokim 2-javor të internetit, duke e bërë situatën politike dhe sociale në vend jashtëzakonisht të tensionuar.



















