Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se presidenti Donald Trump shpreson që “rezistenca dhe kaosi” në Minneapolis të marrin fund menjëherë.

Leavitt theksoi se kjo është arsyeja pse Trump zhvilloi një bisedë direkte këtë mëngjes me guvernatorin Tim Walz, duke prezantuar më pas një plan për rikthimin e ligjit dhe rendit në shtet.

Sipas saj, udhëheqësit demokratë, përfshirë Walz-in, duhet t’u dorëzojnë autoriteteve federale të gjithë migrantët që kanë kryer vepra penale dhe ndodhen aktualisht në burgjet lokale, për deportim të menjëhershëm.

Po ashtu, ajo shtoi se ky proces duhet të përfshijë edhe migrantët e arrestuar për shkelje ligjore nga policia lokale. Forcat e policisë lokale duhet të bashkëpunojnë me autoritetet federale për ndalimin e migrantëve të kërkuar që ndodhen ilegalisht dhe kanë kryer krime.

Leavitt theksoi se nëse ky plan zbatohet, nuk do të jetë e nevojshme që zyrtarët e patrullës kufitare të jenë në terren për të mbështetur ICE-in në Minesota.