E Ngarkuara me Punë e SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn zhvilloi një takim me kreun e ri të SPAK, Klodjan Braho dhe kreun e ri të BKH, Joni Keta.

Në një mesazh të shpërndarë nga ambasada amerikane në faqen zyrtare në Facebook thuhet se, VanHorn ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK Klodjan Braho, dhe Kreun e BKH Joni Keta për rolet e tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve.

Siç ka deklaruar Sekretari Rubio: “Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë.” Së bashku, ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.