Këshilli i Ministrave ka miratuar të mërkurën ndryshime në Rregulloren për stacionet e plazhit, duke vendosur çmimet maksimale për shërbimet e çadrave dhe shezlongëve në plazhet publike dhe ato të tarifuara nga njësitë e vetëqeverisjes vendore.

Sipas vendimit, njësitë vendore mund të miratojnë çmimet maksimale për secilën zonë bregdetare para fillimit të sezonit turistik. Çmimet e dakordësuara bëhen pjesë e detyrueshme e kontratave me subjektet private dhe nuk mund të tejkalohen gjatë gjithë periudhës së kontratës. Tejkalimi i çmimeve maksimale do të konsiderohet shkelje kontraktore dhe mund të çojë në vendosjen e masave administrative ose zgjidhjen e kontratës.
Vendimi synon gjithashtu të harmonizojë menaxhimin e plazheve publike dhe të privatizuara, duke përfshirë monitorimin e nivelit të zhurmave, sigurinë dhe higjienën, si dhe rolin e Agjencisë Kombëtare të Bregdetit dhe njësive vendore në zbatimin e rregullores.

Ky vendim hyn në fuqi pas publikimit në “Fletoren Zyrtare”.