Falje për të gjithë të burgosurit politikë në Venezuelë. Është ky vendimi që ka marrë presidentja e përkohshme, Delcy Rodríguez, që vulosi dekretin për një amnisti të përgjithshme. Ajo e bëri njoftimin gjatë një aktiviteti në Gjykatën Supreme të Drejtësisë.
“Kemi vendosur të shtyjmë përpara një ligj të përgjithshëm për amnisti që do të mbulojë të gjithë periudhën e dhunës politike nga viti 1999 deri më sot, dhe i kam ngarkuar komisionit për revolucionin gjyqësor dhe programit për bashkëjetesë demokratike dhe paqe që ta paraqesin ligjin në Asamblenë Kombëtare në mënyrë urgjente. Kërkoj edhe një herë bashkëpunimin maksimal të organit legjislativ të Venezuelës. Le të jetë një ligj që shërben për të shëruar plagët e lëna nga konfrontimi politik, dhuna dhe ekstremizmi. Le të shërbejë për të rivendosur drejtësinë në vendin tonë dhe për të rivendosur bashkëjetesën paqësore midis banorëve të Venezuelës”, tha Delcy Rodriguez, Presidente në detyrë e Venezuelës.
















