Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se delegacioni ukrainas ka dorëzuar raportin përfundimtar dhe se takimet e zhvilluara në Emiratet e Bashkuara Arabe janë mbyllur.
Përmes një postimi në platformën X, Zelensky vlerësoi se ky ishte formati i parë i këtij lloji pas një kohe të gjatë, duke nënvizuar se bisedimet u zhvilluan në një atmosferë konstruktive dhe me shkëmbime të shumta mes palëve.
“Palët ranë dakord të raportojnë në kryeqytetet përkatëse dhe të koordinojnë hapat e mëtejshëm me udhëheqësit,” shkroi ai.
Sipas presidentit ukrainas, përfaqësuesit ushtarakë kanë arritur të identifikojnë një listë çështjesh që mund të shërbejnë si bazë për organizimin e një takimi të ardhshëm. Zelensky shtoi se, nëse ekziston vullnet për të avancuar më tej procesin vullnet që Ukraina e ka shprehur qartë – takime të tjera mund të mbahen, madje që javën e ardhshme.




















