Hapja e Aeroportit të Vlorës mbetet e paqartë, ndërsa konflikti mes ortakëve të koncesionit ka kaluar nga përplasjet publike në një seri vendimesh gjyqësore të cilat duket se kanë prekur drejtpërdrejt drejtimin e projektit.

Në një konferencë për shtyp të mbajtur sot, përfaqësuesit ligjorë të kompanisë “Mabco Construction” (investitori kryesor i projektit), deklaruan se ajo është lënë jashtë vendimmarrjes dhe paralajmëruan arbitrazh ndërkombëtar ndaj qeverisë nëse çështja nuk gjen zgjidhje në gjykatat e vendit.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga Citizens.al tregojnë se gjykatat kanë vendosur masa sigurimi që pezullojnë të drejtën e votës dhe veprimtarinë vendimmarrëse të Mabco-s si ortak shumicë në shoqërinë koncesionare “Vlora International Airport” (VIA), ndërsa një proces tjetër gjyqësor vijon për vlefshmërinë e transferimit të aksioneve mes saj dhe ortakut “2A Group”.

Kompania kërkoi sot ndërhyrjen e shtetit për të sqaruar situatën, ndërsa nuk dhanë përgjigje për pyetje mbi vlefshmërinë e lejes së ndërtimit, hetimet e SPAK dhe ndikimin e konfliktit gjyqësor në licencimin e aeroportit për operim.

“Rrezikohet siguria dhe garancia e aeroportit”
Në konferencën për shtyp, e cila u mbajt mëngjesin e sotëm në mjediset e një fondacioni privat në zonën e ish-Bllokut, përfaqësuesit ligjorë të Mabco-s deklaruan se, ndonëse zotërojnë 98% të kuotave, aktualisht janë lënë jashtë kontrollit mbi projektin.

Këshilltarja, Ornela Çuçi, tha se situata ka pasoja të drejtpërdrejta mbi investimin dhe vetë sigurinë e projektit. Sipas saj, VIA ka investuar rreth 120 milionë euro, ku pjesa dërrmuese ka ardhur nga Mabco si aksionere kryesore: 18 milionë nga asetet e veta dhe pjesa tjetër nga kredi të garantuara me pasuritë e saj.

Gjatë konferencës për shtyp të Mabco për çështjen e VIA/Mabetex Group.
Çuçi theksoi se Mabco kërkon angazhimin e një kompanie auditi ndërkombëtar si SGS, e cila do të mund të verifikojë dhe certifikojë punimet për pistën dhe veprat e tjera të kryera. Teksa avokati Ervin Metalla e përshkroi situatën si të paprecedentë.

“Ka 98% të kuotave dhe është e shpronësuar ‘de facto’ me vendim gjykate,” theksoi ai.

Drejtori juridik i Mabetex në Zvicër, Korab Troplica, konfirmoi qëndrimin e avokatit Metalla se ortaku “2A Group” ka marrë kontroll praktik mbi VIA dhe nuk informon as për mbledhjet e asamblesë. Ai tha se mundësia është që Mabco t’i drejtohet arbitrazhit, megjithëse “vullneti kryesor nuk është ky”.

Gjatë konferencës, gazetari i pavarur Artan Rama kërkoi qëndrimin e investitorëve ndaj rolit të qeverisë dhe mediave në konflikt. Përfaqësuesit e Mabco-s u shprehën se kërkojnë ndërhyrje të shtetit për të garantuar qartësi dhe korrektësi në një projekt strategjik siç është VIA.

Një tjetër pikë kritike u ngrit nga Joni Vorpsi nga Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA): leja e ndërtimit, e cila rezulton e tejkaluar në afate.

“Aktualisht afati 36-mujor i lejes së ndërtimit të VIA ka mbaruar, a keni ndonjë njoftim nga autoritetet për këtë dhe si do të vazhdohet, do të aplikohet për [zgjatje] lejeje, apo do të vazhdohet pa leje?” pyeti Vorpsi.

Përfaqësuesit ligjorë e konsideruan këtë si informacion teknik dhe se për këtë nuk kishin informacion të saktë, teksa u justifikuan me idenë se në gjendjen aktuale e kanë të vështirë të marrin informacione nga koncesionari.

“Shqetësimi ynë është për këtë situatë që po themi, dhe po na pyesni [për lejen] teksa ne na është bllokuar edhe e drejta për të marrë informacion, në thelb as nuk e kuptojmë kur e kanë mbledhjen, as kur e hapin derën,” tha avokati Metalla.

Foto ilustruese nga VIA gjatë fazës së ndërtimit/Facebook VIA.
Po ashtu, ata deklaruan se nuk kanë dijeni për hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), e cila konfirmoi për mediat në muajin korrik 2025 se po hetonte koncesionin. Edhe pyetja nga Citizens.al nëse konflikti mund të pengojë marrjen e licencës për operimin e aeroportit nuk mori përgjigje konkrete.

Vendimet gjyqësore dhe pretendimi për “përjashtim” nga projekti
Në thelb të përplasjes qëndron kontrolli mbi koncesionarin VIA, e krijuar për zbatimin e kontratës së koncesionit me ministrinë e Infrastrukturës, për ndërtimin dhe operimin e aeroportit të Vlorës.

Dokumentet gjyqësore të siguruara nga Citizens.al tregojnë se konflikti për kontrollin e koncesionarit VIA ka kaluar prej muajsh në procese të njëpasnjëshme sigurimi padie.

Kompania “2A Group” (e cila zotëronte vetëm 2% të aksioneve) pretendon se në prill 2025 ka blerë rreth 47% të kuotave të ortakut shumicë Mabco, mbi bazën e një kontrate shitblerjeje aksionesh.

Por, Mabco e kundërshton vlefshmërinë e kësaj kontrate dhe pretendon se transferimi nuk mund të prodhojë pasoja juridike pa miratimin e kontraktorit, në këtë rast ministrisë së Infrastrukturës.

Sipërmarrësi B. Pacolli gjatë nënshkrimit të kontratës koncesionare VIA dhe qeverisë shqitpare, 2021/Kryeministria.
Mosmarrëveshja kaloi në gjykatë në tetor 2025, kur “2A Group” kërkoi masë sigurimi padie për pezullimin e vendimmarrjes së asamblesë dhe të drejtës së votës së Mabcos si ortak shumicë. Gjykata i pranoi kërkesën dhe pezulloi të drejtën e votës së Mabco-s deri në sqarimin e çështjes së pronësisë së kuotave.

Sipas përfaqësuesve ligjorë të Mabco-s, vendimi u mor në dhomë këshillimi, pa praninë dhe pa njoftimin e kompanisë, duke e lënë atë praktikisht jashtë kontrollit të shoqërisë.

Mabco e apeloi vendimin duke pretenduar se “pezullimi i së drejtës së votës së ortakut shumicë krijon një përjashtim faktik nga shoqëria dhe rrezikon përmbushjen e kontratës koncesionare për aeroportin.”

Gjykata e Apelit ndryshoi vendimin e parë në dhjetor 2025. Megjithatë, sipas dokumenteve dhe pretendimeve të paraqitura nga Mabco, një ditë pas vendimit të Apelit, më 23 dhjetor 2025, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi sërish një masë sigurimi ndaj kompanisë.

Këtë herë kërkesa u paraqit nga vetë shoqëria koncesionare VIA dhe 2A Group, duke kërkuar kufizimin e çdo transferimi të kuotave të Mabco-s në shoqëri.

Përfaqësuesit ligjorë të Mabco-s pretendojnë se masa e re rivendosi në praktikë të njëjtin efekt.

Në ankimin tjetër, të depozituar më pas, Mabco argumenton se pezullimi i së drejtës së votës e përjashton praktikisht nga drejtimi i shoqërisë, ndonëse mbetet zotëruese e shumicës së aksioneve (51%, edhe me ndryshimet e pretenduara nga 2A Group) dhe mban detyrimet financiare të projektit.

Pretendimi i Mabco-s për “shpronësim” në konferencën e sotme për shtyp lidhet pikërisht me këto vendime gjyqësore.

Nga ana tjetër, pala kundërshtare në proces gjyqësor pretendon se transferimi i kuotave është i vlefshëm dhe se masat e sigurisë janë të nevojshme deri në zgjidhjen e konfliktit mbi pronësinë.

Dosja tregon se konflikti nuk është vetëm një mosmarrëveshje kontraktuale mes ortakësh, por një bllokim i drejtimit të koncesionarit: gjykata po vendos masa mbi votën, administrimin dhe transferimin e aksioneve ndërsa projekti është ende në ndërtim.

Kjo shpjegon edhe pasigurinë e shprehur në konferencë për operimin e aeroportit, për lejen e ndërtimit dhe për rolin e shtetit në ndërmjetësimin e konfliktit./Citizens