Transparencë më e madhe dhe akses më i lehtë për qytetarët. Agjencia Shtetërore e Kadastrës bën me dije se zonat kadastrale ku po zhvillohet Regjistrimi Fillestar dhe për të cilat ka nisur Afishimi Publik, tashmë mund të konsultohen edhe online në faqen zyrtare të institucionit.

Përmes hartës interaktive, qytetarët mund të shohin të dhënat e pasurive të evidentuara gjatë procesit të matjes dhe verifikimit në terren. Sistemi lejon kërkimin sipas zonës kadastrale dhe emrit të subjektit, duke shfaqur të gjitha të dhënat e pasqyruara për pasurinë përkatëse.

Ndërkohë, dokumentacioni vijon të jetë i afishuar fizikisht për një periudhë 45-ditore në ambientet e vëna në dispozicion nga njësitë e vetëqeverisjes vendore përkatëse, në përputhje me kuadrin ligjor në fuqi.

Gjatë kësaj faze, çdo qytetar që konstaton pasaktësi, ka pretendime apo kërkon korrigjim të të dhënave, duhet të ndjekë procedurën zyrtare përmes paraqitjes së kërkesës me shkrim pranë pikave të afishimit publik ose pranë drejtorisë vendore të ASHK-së përkatëse, brenda afatit ligjor të përcaktuar.

Afishimi Publik është një moment kyç i Regjistrimit Fillestar — një fazë që garanton transparencë, përfshirje të qytetarëve dhe saktësi të regjistrit kadastral përpara përmbylljes së procesit.