Nga Baton Haxhiu

Edi Rama është Anormal. Bëri të padëgjuarën deri më sot. Të gjithë thonë që kanë bole, po Edi Rama i heq brekët dhe i tregon.

Kjo fjali është brutale. Është e papërshtatshme për sallonet e diplomacisë dhe për gazetë por edhe për analizat e sterilizuara televizive. Por pikërisht për këtë arsye e përshkruan më mirë se çdo formulë akademike atë që ndodhi në mbledhjen e Bordit të Paqes, sepse ajo që bëri Rama nuk ishte një deklaratë e zakonshme politike, por Ishte një akt i zhveshur nga kalkulimi klasik ballkanik.

Në një kulturë politike ku të gjithë mburren me trimëri dhe britma nga periferia dhe askush nuk merr risk real, Edi Rama e çoi çështjen e ish-krerëve të UÇK-së në nivelin më të lartë të mundshëm ndërkombëtar. Ai iu drejtua publikisht presidentit amerikan, Donald Trump për çështjen e Thaçit dhe të tjerëve në Hagë.

Dhe këtu fillon qetësia e analizës për gjithë atë që ndodhi. Sepse përtej fjalorit të fortë, thelbi i fjalimit dhe momentit është ky: Rama bëri atë që të tjerët nuk guxojnë ta bëjnë. Ai e personalizoi kërkesën. Nuk u fsheh pas deklaratave të përgjithshme për “drejtësi ndërkombëtare”. Nuk përdori gjuhën e butë të pritjes dhe të shpresës. Ai e artikuloi kërkesën drejtpërdrejt, me emër dhe me adresë.

Kjo është arsyeja pse pseudo-patriotët janë në panik.

Ata jetojnë nga retorika e tradhtisë. Për ta, patriotizmi është një gjendje emocionale që konsumohet në rrjete sociale. Ata duan një hero që mallkon Hagën në studio televizive, por nuk guxon të hyjë në terrenin real diplomatik. Kur dikush e bën këtë, ata nuk dinë si ta lexojnë. Sepse narrativa e tyre shembet.

Ironia është se ata që sot flasin për “poshtërim” janë të njëjtët që prej vitesh nuk kanë prodhuar asnjë mekanizëm real ndërkombëtar për këtë çështje. Asnjë iniciativë të strukturuar. Asnjë presion të organizuar. Vetëm fjalë.

Rama, për mirë apo për keq, e mori mbi vete riskun politik. Sepse të dalësh publikisht dhe t’i kërkosh ndërhyrje liderit të SHBA-së për një çështje kaq të ndjeshme, do të thotë të përballesh me pasoja. Diplomatike. Politike. Personale.

Mund të mos të pëlqejë stili i tij. Mund të mendosh se është provokues. Por një gjë mbetet e qartë. Në një hapësirë ku të gjithë flasin për guxim, ai zgjodhi ta demonstrojë atë në mënyrën më të pakonvencionale të mundshme.

Dhe kjo është arsyeja pse reagimi është kaq emocional. Sepse politika shqiptare është mësuar me trimëri pa kosto. Kjo, për herë të parë pas shumë kohësh, pati kosto.