*Tema* – Beogradi dhe Shkupi “jashtë dritave të skenës”: Nuk ka ftesë për Vuçiç dhe Mickoski
Ftesa të munguara për Shkupin dhe Beogradin.
Për ta nuk ka mbërritur asnjë letër me vulën dhe firmën e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë në Bordin e Paqes, “krijimin” e tij në kohën kur zhvillimet në arenën ndërkombëtare janë asnjë më pak se të nxehta dhe dinamike.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka deklaruar se deri më tani kryeministri Hristian Mickoski nuk ka marrë asnjë ftesë zyrtare për t’u bashkuar në Bord, njëjt si për presidentin serb, të ulur historikisht mes lindjes dhe perëndimit, Aleksandër Vuçiç.
Ndryshe Amerika ka diferencuar nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipërinë dhe Kosovën, të dyja të njohura për marrëdhëniet historike me Shtëpinë e Bardhë, me një ftesë në Tiranë në emër të kryeministrit Rama, ndërsa në Prishtinë zarfi mbërriti me emrin e presidentes Osmani.
As Bosnje Hercegovina, e tre entiteteve, nuk ka marrë një ftesë për tu bërë pjesë e Bordit, duke ndarë të njëjtin fat me Malin e Zi.
Të dy shtetet kanë qenë të heshtura dhe pa shumë komente për ngjarjen më të rëndësishme sot në Uashington.
Për Kroacinë historia është ndryshe.
Kryeministri kroat Plenkoviç ka pranuar se vendi e ka marrë një ftesë në rradhët e vendeve që tashmë kanë statusin e anëtareve themeluese, por Zagrebi ka zgjedhur të mos e pranojë.
Kjo për shkak të vendit të saj në Bashkimin Europian, dhe vullnetit për të qëndruar në një linjë me Brukselin lidhur me këtë çështje.
Bordi i Paqes është një iniciativë diplomatike e propozuar nga Trump pas armëpushimit në Gaza, lëvizje për të cilat presidenti amerikan besonte fort se meritonte edhe Nobelin për Paqen.
Për vendet e Ballkanit Perëndimor që janë në “bordin e kësaj anijeje” pranimi i ftesës shihet si një mundësi për një afrim strategjik me SHBA-të dhe administratën Trump, rritja e profilit ndërkombëtarë të tyre dhe përpjekje për të qënë pjesë e proceseve diplomatike.


















