Nga Jakin Marena/
Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Prishtinës për një vizitë zyrtare. Vizita, me ftesë të institucioneve të Kosovës, ka ardhur në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së shtetit të dytë të shqiptarëve në Ballkan!
Kreu i qeverisë shqiptare zhvilloi takime me presidenten Vjosa Osmani, me kryeministrin Albin Kurti, ka marrë pjesë në promovimin e librit “Kur heshtja flet” të autorit Ahmet Shala, si edhe mbajti një leksion të hapur me të rinjtë e Universitetit “Hasan Prishtina” e nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”! Pati dhe aktivitete të tjera, të cilat plotësuar ditën e parë të kësaj vizite zyrtare. Një ditë tepër të ngarkuar këtë të hënë tek vëllezërit tanë!
Ndërkohë që të martën, pritet të jetë pjesë e ceremonisë në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa nuk është bërë e ditur nëse do të mbajë fjalim në këtë ceremoni, apo nëse do të marrë pjesë në protestën marshim të qytetarëve në Prishtinë, në mbështetje të UÇK, teksa gjyqi në Hagë ndaj Thaçit dhe ish komandantëve të tjerë ka hyrë në fazën finale!
Rama, në deklarimet e tij publike, mbrojti kauzën e UÇK, akuzoi prokurorët e Speciales në Hagë se në mungesë të provave po mbronin një akuzë politike, duke tentuar sipas tij të varrosnin për së gjalli ish komandantët e UÇK teksa kërkuan nga 45 vite burg për secilin, e quajti kauzën çlirimtare të drejtë e të mbështetur dhe nga bota demokratike, duke ironizuar me Hagën se sipas ‘kutit’ të tyre, bashkë me Thaçin, Krasniqin, Veselin e Selimin duhej të arrestonin dhe Klinton, Blair, Solanën e Clark, ata të cilët që materializuan çlirimin e Kosovës nga okupimi serb përmes fushatës së bombardimeve të NATO-s. Vizita e Ramës në përvjetorin e Pavarësisë por dhe teksa është në përfundim gjyqi në Hagë ndaj UÇK, që u pasua dhe nga vizita e kreut të shtetit Bajram Begaj, është një mbështetje e fortë nga Shqipëria për Kosovën në këtë situatë!
Dhe teksa shohim kryeministrin Rama që shkon për vizitë zyrtare në Prishtinë në përvjetorin e 18-të të Pavarësisë, dhe takon liderët kryesorë politikë në vend, e ku pas kësaj vizite niset për në Uashington për të marrë pjesë në “Bordin e Paqes’, nën drejtimin e presidentit amerikan Donald Trump, ajo që na bën përshtypje është fakti se lideri i opozitës, Sali Berisha dhe në këtë ditë të shënuar për Kosovën qëndron në Tiranë! Në majë foltores, duke vjellë vrer kundër vendit të vet!
Që në momentin e shpalljes ‘non grata’ nga SHBA dhe Britania e Madhe nuk ka pasur ftesë zyrtare për Berishën që të realizojë ndonjë vizitë në Kosovë! Në disa raste është justifikuar me situatën e rëndë në PD, me faktin se ishte i zënë me marrjen nën hyqëm të drejtimit të saj, me dëbimin e Bashës nga drejtimi e më pas me riorganizimin e PD, ndërkohë që tashmë nuk po përpiqet fare të justifikohet për këtë mbyllje që i është bërë nga ana e shtetit të dytë shqiptar!
Berisha nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Kosovën, ndonëse deklarohet se ka shkrirë gjithë jetën e tij për vëllezërit tanë përtej kufirit! Kjo dihet! Me sa duket lidershipi i Kosovës nuk ia ka falur furnizimin e makinës luftarake të Milosheviçit me naftë dhe në thyerje të embargos së OKB në qeverisjen e parë të PD. Nuk i ka falur as përpjekjen për të përçarë lidershipin e rezistencës paqësore të Ibrahim Rugovës në Kosovë, duke tentuar t’i vendosë përballë Adem Demaçin, apo cilësimin e UÇK-së si organizatë terroriste, njësoj si Milosheviçi, dhe thirrjen më pas për të mos firmosur Rambujenë, në përpjekje për të sabotuar sulmin e NATO-s ndaj ushtrisë serbe. Por në Kosovë nuk i kanë falur as lidhjen me elementët serbë gjatë qeverisjes së dytë të PD, duke filluar me Damir Fazlliçin dhe përfunduar me elementë të tjerë serbë e anti-shqiptarë!
Në fillim i bënë ‘embargo’ duke e bllokuar në kufi për të mos e lejuar të hyjë. Të gjithë e mbajnë mend si e bllokuan në kufirin me Kosovën në Kukës, teksa e kthyen mbrapsht dhe nuk e lanë të bëjë hap para! E refuzuan edhe më pas duke mos artikuluar asnjë ftesë zyrtare për të. Edhe kur ka qënë në pushtet ashtu dhe tani në opozitë, Berisha është përballur gjithnjë me ftohtësinë e Kosovës, duke mos marrë ftesë zyrtare madje as për ditët tepër të rëndësishme, siç është përvjetori i Pavarësisë së vendit nga okupimi serb! Dhe e kanë një shkak!
As këtë vit nuk kishte ftesë për Berishën, të paktën deri më tani, për të marrë pjesë në festimet e përvjetorit të 18-të pavarësisë së Kosovës! Pavarësisht se 17 shkurti vinte menjëherë pas miratimit me konsensus të një deklarate të përbashkët në Kuvendin e Shqipërisë mes pozitës dhe opozitës, në mbrojtje të UÇK nga akuzat në Hagë! Ndonëse Berisha nuk e votoi, por s’ia merr njeri për hesap me sa duket, pasi ai nuk voton asnjëherë për Kosovën! E ka fobi! Madje nuk e viziton Kosovën as afër 17 shkurtit, pasi ka qënë kundër pavarësisë! E ka deklaruar zyrtarisht këtë, teksa ka kërkuar vetëm autonomi të zgjeruar për Kosovën, në kuadër të ish-Jugosllavisë! E zbardhi maskarallëkun e Berishës, vetë presidenti amerikan Bill Klinton, pasi të ishte për liderin demokrat, kjo kërkesë drejtuar SHBA, do të ishte varrosur me kohë e vakt, si lajm! Pa e parë dritën e diellit, sikurse vepron gjithnjë Berisha kundër vendit të vet dhe Kosovës, prapa shpine!
Mungesa e vizitës në Kosovë e Berishës në këtë përvjetor, për hir të së vërtetës s’vjen për shkak të angazhimit politik që ka! Një ‘vrap pele’ është Kosova, shkon e vjen si rrufeja! Nuk ka ardhur kjo mungesë vizite as nga mosha tepër e thyer e liderit të PD, pasi në këto takimet partiake të djathta, grupime të sajuara, Berisha shkon deri në Brazilin e largët! Për të treguar në një farë mënyre në formë sfide se e kapërceu Atlantikun, anipse vizitoi jugun e Amerikës dhe jo SHBA-të ku është shpallur ‘non grata’ funksional dhe pa kthim me sa duket! Shkoi për të nxirë Shqipërinë, pavarësisht se pa dobi!
Berisha nuk e ka për gjë të shkojë dhe pa ftesë, sikurse bëri këtë radhën e fundit, teksa iu ‘ngjit’ pas Albana Vokshit, gjatë vizitës në Strasburg të delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë atje! ‘Paketë’ me Vokshin, Berisha tentoi të sulmonte dhe të nxinte Shqipërinë, derisa drejtuesja e seancës u detyrua t’i mbyllë mikrofonin, duke e poshtëruar në sytë e të gjithë të pranishmëve dhe të shqiptarëve! Të gjithë e kanë parë videon e shpërndarë! Ishte më e klikuara dhe komentuara!
Në fund të herës ajo që mund të themi është se Berisha vullnetin për të bërë vizita jashtë vendit e ka, takatin për të lëvizur jashtë vendit e ka. Për më tepër që është pa ‘shpenzime’, pasi nëpër këto kryeqytetet më të mëdha të Evropës e ka të zgjidhur dhe fjetjen, sepse vajza e tij Argita, ka nga një banesë në çdo kryeqytet! I mungon vetëm një gjë fare e vogël Berishës për të kryer vizita, nuk ka asnjë ftesë zyrtare! Askund! I mungojnë që nga viti 2013, por është intesifikuar në limitet e zeros pas shpalljes ‘non grata’ më 2021! Që atëherë s’ka më ftesë zyrtare, s’ka më as vizita në selinë e PD as të një ambasadori, madje as nga ambasadori i Kosovës!
Berisha është ‘non grata’ zyrtare nga SHBA e Britania, por po trajtohet si ‘non grata’ dhe nga vendet anëtare të BE, si dhe vendet ballkanike, përfshirë dhe Kosovën! Pavarësisht se në pushtet është Albin Kurti tash gati 6 vite me radhë, të cilin rëndom Berisha e ka cilësuar si aleatin më të mirë të tij në Prishtinë, e ka mbështetur madje dhe në këto ‘përplasjet’ me Ramën, ende kryeministri aktual i Kosovës nuk ka artikuluar një ftesë zyrtare për Berishën që të vizitojë Prishtinën! Nuk rrezikojnë me sa duket liderët e Kosovës në pushtet për të ftuar një person të shpallur ‘non grata’ nga SHBA e Britania, e të trajtuar si ‘non grata’ dhe nga BE e gjithë rajoni!
Ndaj Berisha po trajtohet si person ‘non grata’ dhe nga Kosova, e kjo është vërtetë e rëndë për një politikan si Berisha, i cili është munduar të tregojë dhe të fiksojë tek publiku idenë e rrejshme se merr frymë dhe jeton vetëm për Kosovën! Ndonëse në realitet ka vepruar në të gjitha rastet kundër saj, dhe faktet për këtë janë kokëforta! Dhe në mungesë të prezencës në Prishtinë, krah liderëve të tjerë shqiptarë, përfshirë dhe Ali Ahmetin, në ditën e Pavarësisë së Kosovës, Berisha nxjerr inatin e mungesës së ftesës zyrtare për vete, me sulmet ndaj Ramës, duke kritikuar lidershipin zyrtar e politik në Prishtinë se kanë ftuar një armik të egër të Kosovës!
Me sa duket ‘karantina’ e Berishës do të vijojë të qëndrojë në fuqi sa të jetë gjallë, në krye të PD! Nuk do të ketë asnjëherë ftesë zyrtare, jo nga SHBA e Britania që e kanë shpallur ‘non grata’, por as nga vendet anëtare të BE dhe ato të rajonit tonë, përfshirë dhe Kosovën! Ndoshta nga ndonjë shoqatë apo grupim partish fantazmë, po! Por jo nga ata që bëjnë politikën e mbështesin alternativa pushteti! Mund të udhëtojë dhe me ftesën e Albanës ndonjëherë!
Kjo nuk diskutohet!




















