Shumë biznese në Shqipëri po faturohen për energjinë elektrike si familjarë duke përfituar në mënyrë të padrejtë një çmim më të lirë. Furnizuesi i Shërbimit Universal pjesë e OSHEE, ka ngritur grupe kontrolli në terren të cilët gjatë verifikimeve kanë identifikuar raste ku subjekte me aktivitet ekonomik janë ende të regjistruara si klientë familjarë dhe tarifoheshin me 8.5-9.5 lek/kwh si klientë familjarë, dhe jo 14 lek/kwh, që është tarifa e miratuar për klientët biznes.

FSHU u ka bërë thirrje bizneseve dhe organizatave jofitimprurëse të verifikojnë dhe përditësojnë kontratën e tyre të energjisë, nëse rezultojnë ende të regjistruar si klientë familjarë.

Sipas FSHU, ky fenomen vjen si pasojë e regjistrimeve të vjetra apo mungesës së përditësimeve të kontratave, ndërkohë që objektet përdoren realisht për qëllime ekonomike.

Përmes këtij procesi, FSHU u bën thirrje subjekteve të ndërgjegjësohen dhe të bashkëpunojnë me grupet e kontrollit në terren, me qëllim ndryshimin e tarifimit nga familjar në jo-familjar, duke shmangur penalitetet. Ndërsa procesi aktualisht kryhet pa penalitete dhe mund të realizohet pranë sporteleve të OSHEE-së ose online.