Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar ka vendosur të tërheqë personelin e saj nga Irani, duke e cilësuar këtë si një masë të përkohshme parandaluese për shkak të situatës së brishtë të sigurisë në vend.

Në të njëjtën kohë, në ambasadën amerikane në Jerusalem, stafit jo-thelbësor dhe familjarëve të tyre u është kërkuar të largohen nga Izraeli për arsye sigurie. Ambasada bëri të ditur se autoritetet amerikane mund të vendosin kufizime të tjera për personelin në Izrael dhe u rekomandoi qytetarëve amerikanë të shqyrtojnë mundësinë e largimit sa kohë që fluturimet komerciale janë ende të disponueshme.

“Individët mund të dëshirojnë të marrin në konsideratë largimin nga Izraeli për sa kohë që ka fluturime komerciale”, thuhet në njoftim.

Edhe Ministria e Jashtme britanike publikoi një përditësim të paralajmërimeve për udhëtim, duke sinjalizuar se rreziku i një përshkallëzimi rajonal mbetet i lartë. “Për shkak të situatës së vazhdueshme të sigurisë, kemi ndërmarrë hapa paraprakë për të tërhequr përkohësisht stafin britanik nga Irani”, deklaroi Ministria, duke shtuar se ambasada do të vijojë funksionimin në distancë.

Zhvillimet vijnë një ditë pasi bisedimet mes SHBA-ve dhe Iranit për programin bërthamor përfunduan pa arritur marrëveshje. Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në fjalimin e tij për Gjendjen e Kombit të martën, theksoi se megjithëse preferon një zgjidhje diplomatike, nuk do të lejojë që Teherani të pajiset me armë bërthamore.