Avokati Rezart Kthupi është shprehur se në Shqipëri ka nevojë për një politikë penale afatgjatë.
Komentet Kthupi i bëri në emisionin ‘RePolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report TV, ku tha se amnistia penale do të krijojë një disbalancë edhe më të madhe mes numrit të të burgosurve dhe të paraburgosurve në Shqipëri.
“Nevoja është që të ndërtosh një politikë penale afatgjatë. Këtu bëhet amnistia penale sepse kapaciteti i burgjeve nuk pranon më të ketë kaq shumë njerëz. Kjo nuk ndodh se kemi shumë të dënuar, por sepse kemi shumë të paraburgosur. Asnjë nga të paraburgosurit nuk përfiton nga amnistia, nëse nuk përfshihen edhe çështjet që janë në gjykim. Nëse nuk përfshihen në ligj nuk përfiton asnjë nga këta që janë të paraburgosur. Do përfundojmë me këtë amnistinë që do kemi 3 të paraburgosur dhe një të burgosur”, tha mes të tjerash Kthupi.
Po ashtu Kthupi deklaroi me ironi se në Shqipëri është vendosur një standard i jashtëzakonshëm për masat e sigurisë, ku burrat lihen gjithmonë në ‘arrest me burg’ ndërsa gratë në ‘arrest në shtëpi’.
“E bukura është se m’u kujtua ky vendimi i djeshëm i Gjykatës së Durrësit, që është krijuar një standard i jashtëzakonshëm në masat e sigurisë, që burrat janë gjithmonë me burg, ndërsa gratë gjithmonë në shtëpi”, tha mes të tjersh Kthupi.




















