Gazetari Flogert Muça ka ndarë këtë të hënë, nëpërmjet një lidhjeje online me edicionin informativ të Euronews Albania me Thimi Samarxhiun, momentet kur ai ishte vëzhgues në sallën e gjyqit në Hagë, ku po gjykohen krerët e UÇK-së.
Muça tha se pa djalin e Thaçit të përlotur dhe, nga ana tjetër, tregoi se i bëri përshtypje gjesti i ish-krerëve të UÇK-së kur hynë në sallë dhe përshëndetën të qeshur të pranishmit.
“Ajo që më bëri shumë përshtypje është që ndërkohë që prokurori fliste apo avokatët flisnin, djali i Thaçit i kishte non stop sytë tek i ati dhe i kishte sytë të përlotur. Ishte një detaj që më bëri shumë përshtypje. Presidenti nuk e kishte mendjen. Ai shfletonte letra, kishte vënë syzet dhe ishte i qetë dhe i sigurt. Kur u hapën perdet ishin të qeshur, na përshëndetën. Transmetonin energji më shumë se ne”, tha Muça.




















