Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka folur për publikimin e dokumenteve të reja nga dosja ‘Epstein’, të cilat kanë nxjerrë në dritë disa skandale të mëdha në politikën botërore dhe te njerëzit me ndikim.
Sipas mediave të huaja, duke folur me gazetarët në bordin e Air Force One ndërsa fluturonte për në Florida, presidenti amerikan tha se dokumentet e kishin liruar nga akuzat për lidhjet e tij me Jeffrey Epstein.
“Nuk e pashë vetë, por disa njerëz shumë të rëndësishëm më thanë se jo vetëm që më shfajëson mua, por është e kundërta e asaj që shpresonin njerëzit, e dini, e majta radikale”, tha ai.
Trump kishte një histori me Epstein, me të cilin kishte një njohje miqësore, duke e përshkruar atë në vitin 2002 si një “djalë të mrekullueshëm” që i pëlqenin gratë në moshë të re.
Por pas vdekjes së Epstein në vitin 2019, presidenti tha se ata kishin debatuar me njëri-tjetrin dhe nuk kishin folur prej 15 vitesh.
Trump përmendet në disa nga dokumentet e publikuara rishtazi të dosjes Epstein, përfshirë disa email-e që po shqyrtohen nga hetuesit federalë.
Emailet nuk japin asnjë tregues se ndonjë pretendim ishte vërtetuar dhe hetuesit vunë re se disa nga akuzuesit u konsideruan jo të besueshëm.
Trump u përmend gjithashtu në dokumente të publikuara më parë vitin e kaluar, duke përfshirë edhe regjistrat e fluturimit për avionin privat të Epstein midis viteve 1993 dhe 1997.
Presidenti amerikan ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje dhe sipas tij, thjesht përmendja e tij në dosje nuk është shenjë e shkeljes.



















