Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli u shpreh sot, se rënia e masivit të dherave në fshatin Dragostunjë, ka ardhur si pasojë e fenomeneve natyrore.
Kozeli tha se rrëshqitja ka ndodhur në kilometrin e tretë në dalje të Librazhdit, rreth orës 10.15 minuta.
“Ka ndodhur një rrëshqitje e gurit masiv në shpatin e malit. Situata vjen për shkak të reshjeve të denduara që kemi javë të tëra që i raportojmë. Ka pasur një mbingopje të shaptit me ujë, gjë që shkaktuar edhe rëshqitje”, tha Kozeli.
Sipas drejtorit të ARRSh-së, situata ka ndodhur vetëm për shkak të fenomenit natyror të reshjeve të shiut, dhe jo për shkak të punimeve që po kryhen në zonë.
“Ka gatishmëri nga ana e kontraktorit të mirëmbajtjes së këtij aksi, që ka sjellë në dispozicion të githa mjetet”, vijoi ai.
Policia Rrugore së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar po bëjnë menaxhimin e trafikut, duke kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve që kanë pritur për disa orë, për mbarëvajtjen e qarkullimit.
Aksi rrugor Elbasan – Qafë Thanë, tashmë është zhbllokuar pas rrëshqitjes të masivit të dherave, që pengoi qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.




















