Nëse deri dje mjaftonte të thoje “përgjithnjë bashkë”, apo “je dashuria ime”, sot marrëdhëniet kanë hyrë në një epokë të re përkufizimesh.
Nga situationship te ghosting, apo bare minimum tek princess treatment, fjalori i Gen Z po riformulon mënyrën si përjetohen, komunikohen dhe përfundojnë lidhjet.
Por çfarë fshihet realisht pas këtyre termave dhe çfarë tregojnë ato për dinamikat e dashurisë moderne? Më poshtë gjeni të listuar të gjitha termat e përdorura nga Gen Z për çdo fazë të lidhjes me një person, si dhe kuptimi i secilës.
Situationship
Sigurisht, nuk mund të fillonim me asgjë tjetër përveçse me termin situationship. Nëse diçka karakterizon marrëdhëniet moderne, është frika nga “etiketimi”. Frika për ta pranuar që je në një lidhje me dikë, por edhe për të marrë përgjegjësinë që vjen me një titull të tillë.
Situationship është ajo marrëdhënie që nuk është zyrtarisht lidhje, por as diçka krejt rastësore. Ka afërsi, komunikim të shpeshtë, jo domosdoshmërisht çdo ditë, ndoshta edhe ekskluzivitet, por pa asnjë marrëveshje të qartë.
Mund të jetë faza e sikletshme kalimtare para se të hyni në një lidhje, por edhe një situatë që mbetet pezull për muaj apo vite. Shpesh përfundon keq, kur njëri bie në dashuri dhe tjetri nuk është gati të angazhohet.
Talking stage
Një tjetër term që përshkruan fazën e sikletshme kur flisni në rrjete sociale ose në aplikacione takimesh dhe dilni në disa takime, është talking stage.
Është periudha para pyetjes klasike “Çfarë jemi ne?”. Ajo kohë kur rrini gjithë ditën e natën në chat për të kuptuar nëse ka kimi dhe interes të ndërsjellë, pa e ditur çfarë të presësh nga takimi i radhës.
Talking stage mund të zgjasë nga disa ditë deri në javë apo edhe muaj, dhe zakonisht përfundon ose me një lidhje, ose me të famshmin ‘ghosting’.
Ghosting
Meqë e përmendëm, le ta sqarojmë.
Ghosting është kur dikush zhduket pa dhënë asnjë shpjegim. Të lë papritur në “seen” dhe bëhet fjalë për fjalë fantazmë.
Termi u bë i përhapur përmes aplikacioneve të takimeve dhe sot konsiderohet një nga format më të zakonshme dhe më të dhimbshme të refuzimit.
Është mënyra më e thjeshtë për të shmangur bisedën e sikletshme “nuk mendoj se përputhemi”, duke e lënë tjetrin të pyesë veten se çfarë bëri gabim.
Love bombing
Shumë “ghoster”-a, para se të zhduken, kalojnë një fazë ku të mbulojnë me komplimente, premtime dhe plane për të ardhmen që nuk kanë ndërmend t’i realizojnë. Kjo quhet love bombing.
Është një taktikë ku dikush të “bombardon” me fjalë dashurie dhe premtime të mëdha, duke krijuar varësi emocionale në kohë rekord. Shpesh pasohet nga një përplasje e fortë me realitetin, kur papritur ai person ndalon së komunikuari pa asnjë paralajmërim.
Si ta kuptosh? Do të të thotë që nuk ka njohur kurrë askënd si ty, ose do të propozojë pushime verore bashkë, ndërkohë që jeni njohur prej dy javësh.
Micro-cheating
Duke kaluar nga faza e njohjes tek marrëdhënia, një tjetër term i Gen Z është micro-cheating.
I referohet një forme tradhtie që nuk arrin deri në kontakt fizik. Në varësi të dinamikës së çiftit, mund të jetë arsye për ndarje ose të paktën të dëmtojë seriozisht besimin.
Shembuj tipikë janë mesazhe të fshehta me ish-in, flirt i theksuar, përdorimi i aplikacioneve të takimeve në fshehtësi, apo edhe “like”-et e dyshimta në Instagram.
Soft launch & Hard launch
Problemet moderne kërkojnë zgjidhje moderne. Prandaj, Gen Z solli edhe termat soft launch dhe hard launch, që përshkruajnë mënyrën si prezanton lidhjen tënde në rrjete sociale.
Soft launch është kur poston diçka që tregon se je në një lidhje, por pa zbuluar identitetin e partnerit/es, një dorë, një hije, dy gota vere në një darkë romantike. Një njoftim i kujdesshëm, pa ekspozim të plotë.
Ndërsa hard launch është deklarata zyrtare me foto bashkë, tag, dhe zakonisht një përshkrim paksa “cringe”.
Bare minimum & Princess treatment
Në përpjekje për të bërë zgjedhje më të ndërgjegjshme në marrëdhënie, Gen Z duket se refuzon standardet minimale dhe kërkon atë që e quan “princess treatment”.
Bare minimum dhe princess treatment u bënë virale në TikTok, duke hapur debat për pritshmëritë në lidhjet moderne.
Dallimi është i qartë. Bare minimum është sjellja që përmbush vetëm kushtet bazë të një marrëdhënieje të shëndetshme, një mesazh “mirëmëngjes”, një dalje herë pas here. Princess treatment është përpjekja e vetëdijshme për ta bërë partnerin/en të ndihet i/e veçantë.
Nuk ka të bëjë domosdoshmërisht me dhurata të shtrenjta, por me kujdesin, qëndrueshmërinë dhe disponueshmërinë emocionale.




















