Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë ka gjetur disa parregullsi në zbatimin e amnistisë penale të kaluar, ndërkohë që pritet miratimi dhe zbatimi i amnistisë së re, e cila ishte objekt diskutimi sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.

Sipas njoftimit zyrtar të ILD-së të kësaj të premte, janë konstatuar disa problematika në procedurat e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore, duke përfshirë:

Konfuzion në interpretimin e dispozitave që lidhen me fillimin e ekzekutimit nga ana e prokurorit;

Mosveprim i menjëhershëm pas administrimit të vendimit të shkurtuar për nxjerrjen e urdhrit të ekzekutimit;

Mënyra të ndryshme të kuptuarit dhe zbatuarit të dispozitave procedurale penale mbi shpalljen e vendimit të përmbledhur nga gjykatat;

Diferenca kohore midis datës së vendimit të formës së prerë dhe përcjelljes së tij;

Mospërputhje e datës së hyrjes së vendimit në sekretarinë e prokurorisë me datën e marrjes nga prokurori dhe datën e shkresës përcjellëse;

Mos pasqyrim në librat e brendshëm të dorëzimit të datës së marrjes në administrim nga prokurori të vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

ILD thekson se këto mangësi krijojnë shqetësim për efikasitetin e zbatimit të vendimeve dhe rëndësinë e saktësisë procedurale, veçanërisht në kontekstin e amnistisë së re që pritet të hyjë në fuqi.