Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi këtë të martë një interpelancë të kërkuar nga deputeti dhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, lidhur me gjendjen në institucionet e vuajtjes së dënimit. Në qendër të debatit ishte situata e ish-presidentit Ilir Meta, aktualisht i paraburgosur.

Gjatë interpelancës, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, iu përgjigj akuzave të ngritura nga Blushi, duke hedhur poshtë pretendimet për trajtim çnjerëzor, persekutim politik apo shkelje të lirisë së shprehjes.

Duke iu referuar raportit të Avokatit të Popullit, Lamallari theksoi se në asnjë moment nuk është përdorur termi “çnjerëzor” për trajtimin e Metës. Sipas tij, të gjithë të paraburgosurit trajtohen në mënyrë dinjitoze dhe të barabartë përpara ligjit.

“E kuptoj që do vëmendje të veçantë për të paraburgosin Metaj. Ne jemi njohur me raportin e Avokatit të Popullit. Raporti i Avokatit të Popullit është nën hetim. Nuk ka hetim administrativ te IEVP ‘Jordan Misja’. Nuk ka persekutim politik, pretendimet janë të pabazuara dhe nuk kemi një cënim të shprehjes ku kemi një balancë”, u shpreh ministri i Drejtësisë.

Lamallari sqaroi gjithashtu se raporti i Avokatit të Popullit nuk mbështet pretendimet për mohim të lirisë së fjalës, duke cituar drejtpërdrejt dokumentin.

“U tha një pretendim për mohim të lirisë së fjalës, së shprehjes. Raporti përmend, citoj këtu në faqen 22, se në përfundim të shqyrtimit të këtij rasti, shprehim se përdorimi i lirisë së shprehjes duhet të bëhet në përputhje me nenin 10 të Konventës Kombëtare. Avokati i Popullit nuk promovon apo amniston përdorimin e gjuhës së urrejtjes, së ashpër, fyese apo denigruese në media, por imponon detyrimin për përdorimin e saj në përputhje të përgjegjshme”, tha Lamallari.

Sipas ministrit, analizimi i informacioneve tregon se pretendimet për “burg politik” nuk qëndrojnë.

“Sa i përket pretendimeve për burg politik, nga analizimi i informacioneve rezulton se nuk qëndrojnë dhe janë të pabazuara. Avokati i Popullit konfirmon të kundërtën. Nuk ka persekutim politik dhe nuk kemi cënim të lirisë së shprehjes, për sa kohë duhet një balancë mes lirisë së shprehjes dhe detyrimeve të institucioneve për të garantuar sigurinë”, u shpreh ai.

Në fund të fjalës së tij, Lamallari kritikoi opozitën dhe konkretisht Tedi Blushin për fokusimin e interpelancës te një individ i vetëm.

“Për të kërkuar interpelancë dhe rrjedhimisht vëmendje të posaçme për një person të veçantë, Ilir Meta, do të doja që kjo sallë dhe interpelanca si instrument kushtetues të përdoret për misionin që kemi këtu, përfaqësimin e atyre qindra e mijëra qytetarë që presin nga ne, dhe jo për diskursin e emrave të përveçëm, që për fat të keq opozita po dështon ta lërë pas”, deklaroi ministri i Drejtësisë.