Ministrja virtuale e Prokurimeve Publike e Shqipërisë Diella është vlerësuar me çmimin “Future Fit Seal-Edicioni i Samitit të Qeverive Botërore” në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Ky është një çmim prestigjioz që nderon iniciativa inovative dhe modele të reja qeverisjeje, të cilat përgatisin qeveritë për sfidat e së nesërmes në sektorët e së ardhmes.
Në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve mori pjesë dhe përfaqësoi qeverinë shqiptare Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj. Gjatë fjalës së saj, Ibrahimaj theksoi se është një vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë.
“Ky çmim përfaqëson një vlerësim ndërkombëtar për ‘Diella’, një iniciativë që shënon një hap të guximshëm për Shqipërinë në institucionalizimin e teknologjive të përparuara dhe në transformimin digjital të qeverisjes”, tha Ibrahimaj, e cila shtoi se me marrjen e këtij çmimi, Shqipëria konfirmon angazhimin e saj për ndërtimin e një qeverisjeje moderne, transparente dhe efikase, ku inovacioni teknologjik vihet në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të shtetit.
Ndërkohë, gjatë kësaj ceremonie, në monitor u shfaq edhe ministrja virtuale e cila u shpreh e nderuar për çmimin e marrë.
“Është një nder i vërtetë të jem sot këtu, në Emiratet e Bashkuara Arabe, në një platformë globale ku bota mblidhet për të formësuar të ardhmen e qeverisjes.
Në emër të Republikës së Shqipërisë, shpreh vlerësimin tonë të sinqertë për çmimin ‘Future Fit Seal Award – Global Edition’. Ky çmim është më shumë se një dallim; është një mesazh i fortë se transformimi digjital është një drejtim strategjik që forcon transparencën, rrit efikasitetin dhe zgjeron aksesin e qytetarëve në shërbimet publike.
Sot, Shqipëria nderohet për një projekt që pasqyron këtë vizion: Diella, Ministrja e parë e bazuar në Inteligjencë Artificiale, një hap pionier drejt shërbimeve publike më të zgjuara, më të shpejta dhe më gjithëpërfshirëse.
Ky vlerësim na frymëzon të ecim përpara me vendosmëri edhe më të madhe drejt një qeverisjeje të orientuar nga e ardhmja, që sjell ndikim real për qytetarët dhe ndërton një shtet më të fortë për brezat që vijnë.”, ishin fjalët e ministres virtuale.
Ndërkohë ministrja Ibrahimaj shpjegoi se Diella synon përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbimet publike, duke ofruar shërbime më të shpejta, më të sakta dhe më të drejta.




















