Juventusi luan sot në orën 15:00 kundër Comos për raundin e 26-të në Serinë A të futbollit në Itali. ‘Zonja e Vjetër’ kërkon rikthimin te fitorja, pas dy humbjeve radhazi, ato kundër Interit në kampionat dhe Galatasarayt në Champions League.

Trajneri i bardhezinjve, Luciano Spalletti vlerësoi rivalët dhe shtoi se ka disa mungesa. Bremer, Holm, Milik dhe Vlahovic do jenë jashtë, ndërsa këtyre u shtohet edhe Kalulu, i cili nuk u fal nga Disiplina pas kartonit të kuq kundër Interit i cili u pranua që ishte i gabuar.

“I pranojmë rezultatet e fundit dhe tani duhet të vendosim se çfarë duhet të bëjmë e si duhet të reagojmë. Këtë dhimbje duhet ta përdorim si një llastik që na tërheq dhe na shtyn drejt sfidës së radhës”, tha ai.

Spalletti konfirmoi mungesën e mbrojtësit Bremer, ndërsa sulmuesi David është thirrur në skuadër, por me shumë mundësi nuk do të luajë 90 minuta. Trajneri shtoi se skuadra kundërshtare, e drejtuar nga Fabregas, është e fortë dhe e organizuar, duke e konsideruar trajnerin spanjoll si një prej më të aftëve në Itali.

Juventusi sot përballë Comos do ketë të veshur uniformën e katërt, atë bardhezi, por me vija të mëdha dhe horizontale.

Pas 25 ndeshjeve të luajtura këtë sezon, Juve me 46 pikë mban vendin e pestë në klasifikim, ndërsa Como me 42 pikë ndodhet një pozicion më poshtë.