Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKShI) ka hapur thirrjet për projekte të kërkimit shkencor në Programet Kombëtare dhe Ndërkombëtare për vitin 2026.

Në aktivitetin e informues ishte e pranishme edhe ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro si dhe rektorë të universiteteve publike dhe private, drejtues të programeve kombëtare e ndërkombëtare, etj.

Kumbaro tha se “ky takim sot ka qëllim kryesor promovimin e thirrjeve të sapohapura. Janë 7 milionë euro të destinuara nga buxheti i shtetit për kërkimin shkencor. Nuk është çështja vetëm sa politikëbërja vë në buxhet të destinuara për këtë zë. Gjithë çështja është si do të performojmë të gjithë bashkë më mirë, që ekosistemi t’i përthithë dhe t’i kthejë në rezultate të prekshme”.

“Me shumë të drejtë ju thoni që në një pjesë të madhe, kërkimi shkencor prodhon të dhëna. Sa këto të dhëna rrinë brenda letrave dhe sa funksionojnë apo nuk funksionojnë urat e komunikimit midis politikëbërjes që të shkojmë në një perspektivë të cilën sot nuk e kemi? Kur çdo kërkues shkencor vjen nga një universitet, universiteti duhet të jetë mbështetës. Prandaj ka vlerë ky event, për të promovuar mundësitë e financimit të projekteve të kërkimit shkencor nga AKKShI dhe Ministria e Arsimit. Ka një ndryshim shumë të madh në 7 vitet e fundit, por 7 vite janë të mjaftueshme në kohë për të parë çfarë duhet të përmirësojmë dhe si AKKShI duhet të rishpikë vetveten”, u shpreh ministrja Kumbaro.
Në aktivitet ishte i pranishëm edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë Tiranë, Xheladin Draçini, i cili vlerësoi rëndësinë e këtyre thirrjeve si një instrument thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm të arsimit të lartë dhe avancimin e dijes shkencore në vend, duke theksuar se investimi në kërkimin shkencor dhe në infrastrukturën akademike përbën një prioritet strategjik për Universitetin e Mjekësisë, Tiranë.

Prof. dr. Xheladin Draçini u ndal veçanërisht te projekti i fituar për infrastrukturën laboratorike të departamentit të Farmacisë, i cili përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të laboratorëve universitarë, rritjes së kapaciteteve kërkimore dhe përmirësimit të kushteve për zhvillimin e kërkimit shkencor bashkëkohor në fushën e farmacisë.