22 Shkurt 2026 | 19:40
Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, në një postim në rrjetin e tij social Facebook, ka njoftuar se i është përgjigjur pozitivisht ftesës së kryeministrit Albin Kurtit, i cili ka nisur konsultimet me partitë për presidentin e ri.

Në shkrimin e tij, Hamza thekson se interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe se zgjedhja e presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithëve.

“Zgjedhja e Presidentit nuk është çështje vetëm e një partie, por e të gjithë neve si përfaqësues të zgjedhur të popullit. Për këtë arsye, sot iu përgjigja pozitivisht ftesës së z. Kurti për të diskutuar për zhvillimet politike dhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të vendit.

Si subjekt politik opozitar, nuk kemi qenë dhe nuk jemi pengesë e proceseve shtetërore, por as nuk mbështesim kandidatura që nuk përfaqësojnë unitetin qytetar, sipas frymës kushtetuese.

Uroj që të ketë reflektim nga ata që e kanë përgjegjësinë kushtetuese për të propozuar kandidatura me mbështetje të gjerë, duke shmangur kalkulimet afatshkurtra partiake. Stabiliteti institucional është jetik dhe duhet të trajtohet si i tillë.

Për ne, interesi shtetëror është mbi çdo kalkulim politik dhe këtë standard e mbrojmë me vendosmëri”, ka shkruar Hamza.