Seanca plenare në Kuvend është mbyllur në orën 04:15 të mëngjesit të së premtes. Seanca nisi punimet me zhvillimin e një interpelance me Ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kërkuar nga deputetët Agron Shehaj dhe Erald Kapri, në lidhje me Parkun Teknologjik “Durana”.

Pas zhvillimit të interpelancës, punimet plenare vijuan me shqyrtimin e tetë projektligjeve dhe pesë projektvendimeve. Kuvendi gjithashtu ka miratuar anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Me 74 vota pro, 16 kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan projektvendimin për zgjedhjen e Selami Xhepës si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.

Me 72 vota pro, 19 kundër dhe 1 abstenim, u miratua kandidatura e Holta Zaçajt, e cila do të bëhet pjesë e organit më të lartë vendimmarrës të bankës qendrore.

Me 74 vota pro, 17 kundër dhe asnjë abstenim, u emërua Ervin Mete si anëtar të Këshillit Mbikëqyrës. Me 73 vota pro, 18 kundër dhe asnjë abstenim, u miratua Jonida Priftit si anëtare.

Projektvendimi për zgjedhjen e Matilda Shehut u shty për në një seancë tjetër plenare, me kërkesë të Kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

6 projektligjet e propozuara nga opozita, u rrëzuan. Dy prej tyre ishin të propozuara nga Ina Zhupa “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë” dhe “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”. Dy nga Jorida Tabaku “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për statusin e minatorit”.

Shiko në: