Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) ka dënuar me 12 vite burg Astrit Balliun, i njohur edhe me mbiemrat Avdyli dhe Sulejmani, në kuadër të dosjes 339, e njohur ndryshe si operacioni “Volvo 4”.
Sipas njoftimit zyrtar për mediat, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kishte paraqitur kërkesën për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit, ndërsa procesi u zhvillua me rregullat e gjykimit të zakonshëm.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Flojera Davidhi, Rudina Palloj dhe Elsa Ulliri, me vendimin nr. 13, datë 11 shkurt 2026, vendosi deklarimin fajtor të Astrit Balliut (alias Avdyli, alias Sulejmani) për disa vepra penale.
GJKKO e shpalli atë fajtor për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për “Kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, duke e dënuar me 12 vite burgim.
Po ashtu, ai u deklarua fajtor për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal”, për të cilën u dënua me 3 vite burgim, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, duke u dënuar me 5 vite burgim.
Në bashkim të dënimeve, bazuar në nenin 55 të Kodit Penal, gjykata vendosi dënimin përfundimtar prej 12 vitesh burgim.
Sipas vendimit, vuajtja e dënimit do të nisë nga dita e arrestimit dhe do të kryhet në një burg të sigurisë së lartë.
Gjykata vendosi gjithashtu që arma pistoletë e sekuestruar, me mbishkrimin “WALTER-P.P.Q – Made in Germany”, të kalojë në favor të shtetit.
Çështja lidhet me hetimet e dosjes 339 dhe operacionin “Volvo 4”, në kuadër të të cilit u zbulua një laborator droge në Has.




















