Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari ka folur sot edhe për pretendimin e gjyqtarëve që kërkojnë rritje të mëtejshme të pagës përmes një padie në Gjykatën Kushtetuese. Ai tha se 10 vite pas miratimit të Reformës në Drejtësi, nuk do duhej të ishte ky debati real teksa theksoi se sot gjyqtarët në Shqipëri kanë paga më të larta se vendet e rajonit dhe njësoj si në Greqi, vend anëtar i Bashkimit Europian.

Lamallari nënvizoi gjatë intervistës se problemet reale të sistemit janë proceset gjyqësore që zvarriten, vakancat e pazbatuara, zgjatjet e afateve të krerëve të gjykatave dhe paraburgimi i padrejtë për qytetarët. Sipas Ministrit të Drejtësisë, llogaridhënia e zyrtarëve dhe besimi i qytetarëve te drejtësia janë kyçe për forcimin e demokracisë dhe integrimin europian.

“Diskutimi real duhet të jetë për një nevojë për analizë të fortë për 10 vitet e reformës: a ka sot procese gjyqësore që zvarriten, a ka vakanca që duhen adresuar, a ka sot zgjatje të afateve të qëndrimit në detyrë të krerëve të gjykatave dhe prokurorive, a ka drejtësi cilësore për qytetarët. Nuk duhet të ketë sot zvarritje dhe qytetarët duhet të marrin drejtësi; një drejtësi e vonuar është e mohuar. Këtë mund ta pësojë një qytetar në paraburgim dhe nuk ka vendim gjykate apo pafajësie që të kthejë pas kohën e mohuar të një qytetari.