Mungesa e mbrojtjes së lëkurës që në fëmijërinë hershme mund të të kushtojë gjithë jetën. Dermatologët theksojnë se një pjesë shumë e madhe e dëmtimeve nga rrezatimi ultraviolet (UV) grumbullohet që në vitet e para të jetës, sepse lëkura ende nuk aftësinë të mbrohet nga dëmtimet qelizore.
“80% e dëmit në lëkurën tonë bëhet nga mosha 0-18 vjeç . Ne e kemi humbur trenin për këtë fashë moshore”, tha Erjona Shehu , Dermatologe, QSUT
Studime ndërkombëtare kanë treguar se disa djegie të forta nga dielli në fëmijëri mund të dyfishojnë rrezikun për melanoma më vonë në jetë, ndaj mjekët theksojnë se mbrotja duhet të nisë që në fëmijëri.
“Duhet të ruajmë fëmijët nga mosha 6 muaj e sipër, mbrojtje maksimale me kremra mbrojtës, mbrojtje me kapele, vendosje ose qëndrim në orët e pikut që janë 10:30 – 16:30 në ambiente me hije ku rrezatimi depërton më pak dhe nuk duhet të harrojmë që edhe në ambiente me hije rrezatimi diellor është prezent”, tha Shehu.
Kur flasin për mbrojtje mjekët nuk kanë parasysh vetëm kohën e plazhit por çdo ditë të vitit me rrezatim diellor duke përfshirë këtu edhe zona që shpesh neglizhohen.
“Kujdes duhet jo vetëm në diell por gjatë 365 ditëve të vitit , jo vetëm në det por edhe në mal ku ka një reflektim më të fortë të rrezatimit diellor dhe të mos harrojmë që fytyra, veshët dhe pjesa dekoltesë duhet të lyhen çdo 90 minuta ndërsa trupi çdo 2 orë”, apeloi ajo.
Përveç kancerit, dëmtimi i hershëm nga dielli lidhet edhe me plakjen e parakohshme të lëkurës sonë, njollat pigmentare, humbjen e elasticitetit dhe rrudhjen.










