Në dy komisione, te Ligjet dhe tek ai për të Drejtat e Njeriut, mazhoranca rrëzoi projektligjin e deputetes së PD-së, Jorida Tabaku për statusin e minatorit.
Drafti parashikon uljen e viteve të punës për pension të parakohshëm, rritje të pensionit suplementar, kompensim të plotë në aksidente dhe pension familjar sa 50% e pagës kur një punonjës i minierës humb jetën.
Kostoja për buxhetin e shtetit llogaritet rreth 1.2 miliardë lekë në vit për 13.300 përfitues. Sipas drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore Astrit Hado, drafti nuk sjell përfitime të mëdha për minatorët nga trajtimi aktual me ligj.
Kryetari i Komisionit të ligjeve, Ulsi Manja veçoi se Shqipëria ka një skemë universale të pensioneve, e cila nuk e përballon nivelin e pensioneve në vend dhe po mbahet në këmbë nga buxheti i shtetit.
Sipas Manjës, të gjitha ligjet që krijojnë statuse e trajtimit të veçantë i krijojnë peshë buxhetit të shtetit dhe pranohen në shtete te cilat kanë financa të konsoliduara dhe jo ekonomi në zhvillim si vendi ynë.




















